Veliaj: Plan për parqet dhe zonat e reja ekonomike

 

Bashkia e Tiranës Ministria e Zhvillimit Urban nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi,e cila synon hartimin e një plani të ri zhvillimor që i përgjigjet territorit aktual të Tiranës me 24 njësi të reja administrative. Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, të cilët në fjalën e tyre vunë në dukje rëndësinë që ka për kryeqytetin pasja e një plani të mirëfilltë zhvillimor, duke qenë se Bashkia e Tiranës është zgjeruar në territorin e saj.

Duke folur gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se tashmë ka ardhur një erë e re e marrëdhënieve Bashki-Qeveri, produkt i së cilës do jetë dhe hartimi i këtij plani të ri zhvillimor. “Bëhet fjalë për një projekt me afat. Ne parashikojmë që brenda një viti, Tirana të ketë plan zhvillimi të mirëfilltë, i cili do të jetë programi me të cilin do të zhvillojmë të gjitha pjesët e Tiranës, si ato qendrore, ashtu edhe ato të periferisë që përbëjnë 24 njësitë e Tiranës”, tha Veliaj. Sipas tij, kjo nënkupton se plani ekzistues vendor, vetëm për bashkinë e vjetër të Tiranës, nga dita e sotme nuk është më në fuqi. “Duke qenë se ka rënë plani i vjetër i zhvillimit, pezullohen lejet e ndërtimit deri sa ne të kemi një plan afatgjatë të zhvillimit të qytetit, në bazë të këtij bashkëpunimi me Ministrinë e Zhvillimit Urban”, sqaroi Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

 

Veliaj theksoi se gjatë kësaj periudhe do të bëhet verifikimi i ndërtimeve pa leje, shkeljet në urbanistikë apo edhe një audit të lejeve që janë dhënë nga bashkia. Sipas tij, kjo do të shërbejë për t’u siguruar që, nëse ka parregullsi, ato të trajtohen ligjërisht. “Gjithashtu, për t’u siguruar se këto parregullsi dhe sjellja e shkeljes konstante të çdo parimi urbanistik dhe bashkëjetesës në komunitet, të mos jetë një modë që vazhdon në Bashkinë e re të Tiranës, për të vendosur një standard të ri”, tha Veliaj.

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se nuk bëhet fjalë për të pasur një plan se ku do ndërtohen pallatet e Tiranës. “Por, për të pasur një plan të mirëfilltë zhvillimi, se ku do të jenë parqet e reja të Tiranës, zonat e reja ekonomike të saj dhe ku do të jenë zonat me ekskluzivitet bujqësor të. Pra, kalojmë nga logjika e planeve të lejeve të ndërtimit, tek logjika e planit të zhvillimit të mirëfilltë ekonomik, ku mbahen parasysh të gjitha ato elementë që sjellin zhvillim, të gjitha industritë apo fushat e tjera të zhvillimit, si bujqësia dhe turizmi”, tha Veliaj.

 

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermni, theksoi se ka ardhur koha e përfundimit të një kaosi në zhvillimin e territorit dhe zhvillimin urban në Shqipëri. “Tashmë, njësitë e reja vendore me hapësirat dhe mundësitë që kanë, me kapacitetet njerëzore dhe resurset që kanë, në bashkëpunim me qeverisjen qendrore, me ekspertizë të huaj dhe kombëtare do të hartojmë planet e tyre që do të shërbejnë si burim apo si bazë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social të këtyre njësive”, theksoi Gjermeni. Ajo vlerësoi se Tirana ka nevojë për një plan të zhvillimit të saj, edhe për shkak të hapësirës që ka dhe peshës specifike në zhvillimin kombëtar.

 

* * *

 

Fjala e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj:

 

Ndihem shumë mirë sot që kemi një marrëveshje me Ministrinë e Zhvillimit Urban, për të filluar disa punë konkrete për Tiranën. Unë jam shumë i ndërgjegjshëm që në fund të këtij mandati, ne nuk mjaftohemi duke thënë që i lamë Tiranë një vizion. Ne na duhet që shumë më shpejt se sa fundi i mandatit, ne të kemi një plan të mirëfilltë zhvillimi për Tiranën, që pastaj pjesën tjetër të mandatit të vëmë në zbatim këtë plan e të shikojmë një boom ekonomik, për të cilin Tirana ka humbur shumë kohë në këto katër vitet e fundit.

 

Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që bëhet fjalë për një erë të re të marrëdhënies së Bashkisë me qeverinë qendrore. Qeveria e Republikës së Shqipërisë nuk është një armik që duhet sulmuar dhe flamuri i Bashkisë apo kulltuku i Bashkisë nuk është aty për të bërë beteja politike me qeverinë. Përkundrazi, duke filluar që sot, në javën e parë, ne lidhim marrëveshje me qeverinë sepse e shohim si aleatin kryesor të zhvillimit të qytetit të Tiranës, ndaj më vjen mirë që sot kemi një produkt konkret, çka do të na mundësojë që nëpërmjet fondeve të qeverisë shqiptare, Bashkia e Tiranës të përfitojë eksperiencën dhe ekspertizën më të mirë të huaj, ndërkombëtare, për të hartuar në kohë rekord një plan zhvillimi.

 

Duhet të sqaroj edhe disa momente të tjera:

Së pari, bëhet fjalë për një projekt me afat. Ne parashikojmë që brenda një viti, Tirana të ketë plan zhvillimi të mirëfilltë i cili do të jetë programi me të cilin do të zhvillojmë të gjitha pjesët e Tiranës, si ato qendrore, ashtu edhe ato të periferisë që përbëjnë 24 njësitë e Tiranës.

 

Së dyti, kjo nënkupton që plani ekzistues vendor, vetëm për bashkinë e vjetër të Tiranës, nga dita e sotme nuk është më në fuqi. Nuk është më në fuqi, pavarësisht rezervave personale apo publike që i kemi shpallur edhe më parë për planin klientelist që trashëgoi Bashkia e Tiranës, por nuk është në fuqi edhe për arsyen se sot, Bashkia e Tiranës është një entitet tjetër. Sot ka 24 njësi vendore, shumë prej të cilave nuk ishin pjesë e Tiranës. Kjo do të thotë që edhe sikur të ishte i mirë plani ekzistues, ishte vetëm për një pjesë të Tiranës së vjetër. Ndërkohë që sot jetojmë një një realitet të ri dhe na duhet një plan përtej ish-vijës së verdhë dhe një plan që përqafon të gjithë zgjerimin e Tiranës në një koncept modern, me ekspertizë dhe me integritet profesional, për të ofruar Tiranën e konceptuar në 10, 20 apo 30 vitet e ardhshme dhe jo një Tiranë të qokave të një mandati apo të një procesi të caktuar politik.

 

Nga sot, duke qenë se ka rënë plani i vjetër i zhvillimit, plani i vjetër ndërtimor i Tiranës, pezullohen lejet e ndërtimit deri sa ne të kemi një plan afatgjatë të zhvillimit të qytetit, në bazë të këtij bashkëpunimi me Ministrinë e Zhvillimit Urban.

 

Dua gjithashtu t’ju informoj se në periudhën që do kërkohet për të zbatuar këtë marrëveshje, për të pasur prokurimin dhe ekspertët e huaj që do të ndhmojnë Bashkinë e Tiranës në një plan të zhvillimit, është shumë e rëndësishme që Bashkia ndërkohë të mos rrijë pa punë dhe ajo që do të kërkoj është që Inspektoriati i Ndërtimit dhe Policia Bashkiake do të bëjnë verifikimet dhe disiplinimin e territorit që tashmë kemi trashëguar. Kjo të thotë të gjithë verifikimin e ndërtimeve pa leje, shkeljet në urbanistikë apo edhe një audit të lejeve që janë dhënë, për t’u siguruar që nëse ka parregullsi, parregullsitë do të trajtohen ligjërisht, por edhe për t’u siguruar që këto parregullsi dhe kjo sjellje e shkeljes konstante të çdo parimi urbanistik, dhe të çdo parimi të bashkëjetesës në komunitet të mos jetë një modë që vazhdon në Bashkinë e re të Tiranës, për të vendosur një standard të ri.

 

Kjo do të thotë që do të shfrytëzojmë këtë vit, teksa ekipi i Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe ekspertët e huaj me Bashkinë punojnë për planin e zhvillimit, ne të disiplinojmë atë që kemi trashëguar nga këto katër vite të qeverisjes në Bashki.

 

Dua po ashtu të sqaroj se kemi insistuar që në këtë marrëveshje, ne të mos kemi përsëritjen e asaj mantrës që identifikonte bashkinë vetëm me lejet e ndërtimit. Këtu nuk bëhet fjalë për të pasur një plan se ku do ndërtohen pallatet e Tiranës, e keni gabim, nëse mendoni kështu! Bëhet fjalë për të pasur një plan të mirëfilltë zhvillimi, ku do të jenë parqet e reja të Tiranës, zonat e reja ekonomike të Tiranës, ku do të jenë zonat me ekskluzivitet bujqësor të Tiranës. Pra, kalojmë nga logjika e planeve të lejeve të ndërtimit, tek logjika e planit të zhvillimit të mirëfilltë ekonomik, ku janë parasysh të gjitha ato çka sjellin zhvillim, të gjithë industritë apo fushat e tjera të zhvillimit, siç është bujqësia dhe turizmi.

 

Ne e vlerësojmë faktin që Bashkia e Tiranës do të jetë pjesë e këtij procesi sepse insistojmë që gjërat që kemi premtuar publikisht, në shtimin e parqeve, promovimin e bujqësisë, infrastrukturën turistike të emetohen nga Bashkia dhe të implementohen në këtë plan, ndaj shpresoj shumë në një bashkëpunim të frytshëm dhe ju uroj të gjithëve shumë suksese në këtë sipërmarrje. Faleminderit shumë!

 

Fjala e ministres së Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni:

 

Kam kënaqësinë të lidh marrëveshjen sot me kryetarin e ri të bashkisë së Tiranës z.Erion Veliaj të cilit i uroj suksese dhe punë të mbarë. Është një marrëveshje në kuadrin e një nisme që ka marrë qeveria shqiptare dhe Ministria e Zhvillimit Urban në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit për të ndihmuar 26 njësi vendore, sipas ndarjes të re territoriale administrative, për planet e tyre vendore. Është një përgjegjësi dhe sfidë e përbashkët që ne po e konkretizojmë me një marrëveshje bashkëpunimi me çdo një nga këto 26 njësi vendore, pikërisht për t’i ndihmuar, asistuar, kontribuar në hartimin e planeve të tyre vendore, me një procedurë të përshpejtuar, pikërisht për t’i hapur rrugë një procesi të zhvillimit të planifikuar të territorit dhe një procesi të zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri.

 

Mendoj që ka ardhur koha e përfundimit të një kaosi në zhvillimin e territorit dhe zhvillimin urban në Shqipëri. Tashmë njësitë e reja vendore me hapësirat dhe mundësitë që kanë, me kapacitetet njerëzore dhe resurset që kanë, në bashkëpunim me qeverisjen qendrore, me ekspertizë të huaj dhe kombëtare do të hartojmë planet e tyre që do të shërbejnë si burim apo si bazë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social të këtyre njësive. Unë e falënderoj z.Veliaj për këtë lidhje marrëveshje, sidomos për njësinë vendore të Tiranë që ka një rëndësi dhe peshë specifike shumë të madhe në të gjithë territorin e Shqipërisë.

 

Mendoj që Tirana ka nevojë për një plan të zhvillimit të saj, edhe për shkak të hapësirës që ka dhe peshës specifike në zhvillimin kombëtar. Mendoj që gjithë ky proces bashkëpunimi do të jetë i suksesshëm, falë edhe urave të bashkëpunimit, edhe të mëparshme që kemi pasur me z. Veliaj.

 

I uroj edhe njëherë suksese dhe them se ky proces do të jetë i suksesshëm, nëse të dy palët kontribuojnë maksimalisht, për të realizuar një plan zhvillimi të qëndrueshëm për Tiranën.

 

SHKARKO APP