Veliaj pret yjet e muzikës popullore që do performojnë në koncertin festiv
Me rastin e festimeve të 100-vjetorit të shpalljes Kryeqytet, Bashkia e Tiranës ka organizuar aktivitete të shumta, që do të kulmojnë me koncertin e së martës në sheshin “Nënë Tereza”, ora 19.00. Që kjo ditë të jetë një festë e madhe për të gjithë, janë bërë bashkë emrat më të njohur të muzikës popullore shqiptare dhe tiranase, ku nuk do të mungojë as Banda e qytetit dhe Ansambli “Tirana”.
Mes emrave të njohur të muzikës që do të këndojnë për publikun e kryeqytetit në nation e 11 shkurtit janë Artjola Toska, Bujar Çiçi, Irma Libohova, Merita Halili, Pajtim Struga, Sinan Hoxha dhe Valbona Mema.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti disa nga yjet e muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme, të cilët do të ndezin atmosferën në këtë mbrëmje magjike. “Përshëndetje të gjithëve! Të gjithë themi ‘ku ka si Tirona’, por realisht ku ka si Tirona! Në datën 11 shkurt, Tirona mbush 100 vjeç! Do bëjmë një superfestë me aheng me këngëtarët më të mirë që i kanë dedikuar jetën, pasionin, zemrën, këngëve të Tironës. Ju presim te sheshi ‘Nënë Tereza’ në orën 7 të mbrëmjes, me dolli, me raki, me qejf, me aheng, me familje, me kushërinj, me gjithë çfarë ju do zemra, për t’i uruar Tiranës Gëzuar Ditëlindjen!”, ishte ftesa e Veliajt dhe e artistëve të njohur për të gjithë qytetarët.
Kryebashkiaku tha se ky 100-vjetor është i veçantë për kryeqytetin, ndërsa theksoi se është edhe një moment reflektimi për të gjithë se çfarë mund të ishte bërë më mirë. Teksa njohu këngëtarët me disa nga projektet e së ardhmes, Veliaj shprehu besimin se 100 vitet e ardhshme do të jenë plot energji, për një nga kryeqytetet me më shumë të rinj.
Sheshi “Nënë Tereza”, të martën e 11 shkurtit, ora 19.00, do t’i ngjajë Tiranës së madhe, ku elementët historikë dhe tradicionalë të saj do të shfaqen tek publiku, nëpërmjet imazhit të skenografisë, imazheve video të projektuara në fasadën e Universitetit Politeknik.