Veliaj prezanton programin: “Kontratë me 10 pika për edukimin”

Erion Veliaj, kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, prezantoi sot programin e tij për edukimin, duke theksuar se numri i çerdheve, kopshteve dhe shkollave në Tiranë është shumë i ulët krahasuar me numrin e banorëve.

“Shkollat dhe kopshtet e Tiranës duhet të përballojnë trefishin e fluksit që kanë shkollat dhe kopshtet e tjera në vend. Ky mbipopullim ka bërë që kushtet që këto institucione publike ofrojnë të degradojnë me shpejtësi. Në pjesën dërrmuese të tyre mungojnë sistemet e ngrohjes dhe ftohjes. Terrenet sportive dhe këndet e lojrave ose janë shkatërruar ose janë tjetërsuar. Sistemet e ndriçimit dhe sinjalistika rregulluese përreth tyre mungon gjithashtu, çka ndikon drejtpërsëdrejti në sigurinë e fëmijëve”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se kontrata e tij për edukimin përfshin këto pika:

1) Sigurojmë ngrohjen në të gjitha çerdhet, kopshtet e shkollat brenda vitit të parë.

2) Vendosim sinjalistikën rrugore dhe elementët e sigurisë në çdo institucion arsimor dhe të kujdesit social brenda 100 ditëve.

3) Ndërhyjmë në çdo çerdhe, kopsht e shkollë për rikonstruktion e rehabilitim edhe për terrenet sportive dhe ambientet e jashtme rekreative. Zbatojmë mirëmbajtje të vazhdueshme me plan mujor.

4) Pajisim çerdhet e kopshtet me materiale të reja didaktike dhe ndihmëse për zhvillimin e fëmijëve brenda një viti.

5) Transformojmë 10 shkolla si qendra komunitare brenda vitit të parë.

6) 50 shkolla qendra komunitare në total brenda mandatit të parë.

7) Punësimi i 100 personave për çdo shkollë si qendër komunitare në vitin e parë.

8) Ndërtojmë 5 çerdhe të reja brenda mandatit.

9) Ndërtojmë 8 kopshte të integruara me çerdhe.

10) Ndërtojmë 10 shkolla të reja. 

SHKARKO APP