Veliaj: Punë deri në agim për të riparuar rrugët e dëmtuara

Bashkia e Tiranës është angazhuar që ti kthejë qytetit normalitetin. Jo vetëm me rikthimin e hapësirave publike të zëna forcërisht nga individë dhe biznese të ndryshme, por edhe për të rregulluar dhe mirëmbajtur rrugët dhe trotuaret ekzistuese.

Krahas punës që po kryhet në disa akse të rëndësishme, si rrugën “Dritan Hoxha” apo rrugën e “Kavajës”, puna ka vijuar këto ditë edhe në rikonstruksionin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku po bëhet zëvendësimi i pllakave të dëmtuara dhe mbushja e gropave të krijuar gjatë viteve të fundit.

Ka qenë vet kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, ai që nëpërmjet një statusi në twitter, ka bërë të ditur se teksa Tirana bjerë të fle gjatë natës, punonjësit e bashkisë dalin të punojnë në rrugët e Tiranës, duke përfituar edhe nga mungesa e qarkullimit të makinave.

“Një Tiranë bie në gjumë, teksa një Tiranë tjetër e turnit 3 të Bashkisë del të riparojë rrugët çdo natë gjer në agim. Ndjesë për devijimet e trafikut gjatë natës”, shkroi Veliaj në twitter ndërsa shoqëronte një album me fotografi nga punimet që kryen gjatë natës në rrugët e Tiranës.

SHKARKO APP