Veliaj: Shkolla “Sami Frashëri” do të jetë më e madhe dhe më e bukur. I japim fund mësimit me dy turne

Shkolla e re “Sami Frashëri” do të jetë më e madhe dhe më e sigurtë për nxënësit që do të ulen në bankat e saj. E ndërtuar në vitet 60’, gjimnazi “Sami Frashëri” është shkolla e parë që do të rindërtohet pas dëmeve të rënda në kollonat mbajtëse që pësoi nga tërmeti i 26 Nëntorit. Godina e re pritet t’i japë fund edhe mësimit më 2 turne.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka studiuar vetë në këtë shkollë në vitet ‘90, tha se godina e vjetër do t’ia lërë vendin një godine të re moderne. “Është një ditë e rëndësishme për qytetin, një ditë e rëndësishme edhe për mua personalisht. Kjo është shkolla ime e vjetër, kam shumë kujtime këtu, shumë nostalgji. Shkolla është një vend fantastik, një vend ku ti kupton se, pavarësisht se mund të ndahemi me bindje, mund të jemi të majtë e të djathtë, por ky vend na bashkon. Është një ditë e mbushur me emocione për shumë prej nesh, që kanë kujtimet e rinisë së tyre nga kjo shkollë. Unë e kam mbaruar shkollën në vitin 98-të; viti 97-të ka qenë viti më kritik në shkollë dhe edhe formimin tim politik ia dedikoj debateve dhe frymës që ka pasur “Sami Frashëri”, por vjen një moment kur duhet t’i themi lamtumirë nostalgjisë edhe kujtimeve”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u shpreh se për shkak të amortizimit, shkolla “Sami Frashëri” e kishte të domosdoshme rindërtimin, ndërsa sqaroi se nxënësit do të transferohen përkohësisht tek shkolla “Çajupi”. “Shkolla është ndërtuar në vitet 60-70, e patë sesi nga zgavella e krijuar nga prishja doli që s’kishte asnjë kolonë betoni dhe çeliku, por vetëm mur. Sigurisht, në vitet e vështira të komunizmit, edhe materialet ishin të varfra. Shpeshherë kemi ndërhyrë për estetikë, por të ndryshosh banjot, çezmat, rrjetin elektrik, të bësh palestër, të bësh koshat e basketbollit, nuk do të thotë zëvendësim i themeleve dhe i kolonave, që janë po ato që kanë qenë. Këtu besoj jemi të gjithë dakord që pasi u pa nga grupet e huaja të inxhinierëve të Institutit të ndërtimit dhe inxhinierët e bashkisëm u arrit në përfundimin se nostalgjive do t’u themi mirupafshim, për t’i hapur udhën një projekti të ri të shkollës. Shkolla “Sami Frashëri” përkohësisht është transferuar tek shkolla “Çajupi”, por tani të gjithë shkolla po bëhen online, kështu që ky transferim nuk besoj se ka ndonjë vlerë në këtë moment”, tha ai.

Veliaj theksoi se brenda verës do të nisë puna edhe për ndërtimin e godinës së re të shkollës, e cila pritet që të jetë gati shtatorin e vitit të ardhshëm. “Brenda verës do të fillojmë ndërtimin e shkollës, që në shtatorin ri ne të kemi shkollën më të bukur, më të mirë dhe më të madhe në Republikë. Duke qenë se “Sami Frashëri” tashmë ishte një shkollë me dy turne – në Tiranë kishin mbetur vetëm dy shkolla të mesme me dy turne, “Sami Frashëri” dhe “Ismail Qemali”, – kjo ulje presioni, pra transferimi në një shkollë tjetër, do të bëjë që në regjistrimet e reja “Sami Frashëri” të mos ketë të njëjtin fluks, çka do na mundësojë që kur të fillojmë shtatorin tjetër, të fillojë me numra optimalë të shkollës dhe jo një tjetër shkollë me dy turne. Është një ditë plot me emocione dhe me shumë kujtime që i përcjellim njëherë e mirë, por besoj se do të hapim rrugë për shumë kujtime të tjera për djem dhe vajza që, ndoshta do e çojnë më lart emrin e kësaj shkolle se ne që kemi mbarur te “Sami Frashëri”, theksoi Veliaj.

Shtimi i hapësirave për aktivitete komunitare është pjesë e projektimit, jo vetëm ambiente sportive, por edhe të tjera që të mund të përdoren nga komuniteti.

SHKARKO APP