Veliaj shpall nismën “Adopto 1 çerdhe”

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, i ka bërë thirrje sot çdo biznesi, organizate apo qytetari, që të kontribuojë për kthimin në funksionalitet të plotë të çerdheve në Tiranë. I gjendur përballë një situate kritike sa i përket buxhetit të të trashëguar nga bashkia e mëparshme, si dhe gjendjes së vështirë në të cilën ndodhen një pjesë e mirë e çerdheve në Tiranë, Veliaj ka kërkuar ndihmën e kontributorëve të jashtëm për të përballuar këtë situatë emergjence.

“Dua t’i bëj një thirrje për 31 engjëj që mund të na shpëtojnë nga ky ferr financiar. Në rast se ka 31 kompani, 31 organizata, 31 fondacione, 31 individë që do të ofroheshin pranë bashkisë së Tiranës për të marrë dhe për të adoptuar një çerdhe, ne do ta çmonim jashtë mase. Ndaj thirrja ime është publike, nëse në qytetin më të madh të shqiptarëve ka mjaftueshëm bamirësi dhe bujari, duhet të ketë 31 vetë, biznese, fondacione apo organizata, që të ofrohen dhe të adoptojnë një çerdhe. Sot thirrja është shumë e qartë, adopto një çerdhe”, tha Veliaj pasi inspektoi nga afër gjendjen në çerdhen nr.54 në rrugën “Mihal Grameno” në Njësinë nr.2.

Ai ka garantuar nga ana tjetër se Bashkia do të vërë në dispozicion çdo burim dhe aset të sajin për të ndihmuar në përballimin e kësaj situate dhe për tiu përgjigjur bamirësisë që mund të jepet në këtë rast.

“Do të vinim në dispozicion të gjithë stafin tonë, vullnetarë dhe të gjithë dashamirësit sipas secilës njësi. Në Njësinë 2 me Elezin dhe ekipin, në Njësinë tjetër me Zhanin dhe ekipin e saj, të jemi në dispozicion të këtyre bamirësve për të na ndihmuar që të kemi një fillim të mbarë të vitit, për të gjithë ata prindër që duan dhe presin çerdhe më dinjitoze se këto që inspektuam sot. Ne do të ofrojmë të gjithë ndihmën e nevojshme dhe për projektet dhe për stafin për tú siguruar që në një kohë rekord, 31 çerdhet që sot janë pa asnjë financim, prej këtij buxheti që kemi gjetur të rrënuar dhe prej këtij borxhi që na ka zënë frymën”, tha Veliaj.

Ai ka theksuar se ka qenë e pamundur që vetëm në një javë të prokurohen dhe gjenden financimet që mungojnë sot në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për të plotësuar nevojat në çerdhe dhe kopshte për të qenë gati në sezonin e ri. 

 

 

SHKARKO APP