Veliaj: Taksën e pronës ta caktojnë bashkitë

Në konferencën e organizuar nga USAID për ligjin mbi financat vendore, ku morën pjesë drejtues të njësive vendore dhe ekspertë të fushës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi rëndësinë e rritjes së kompetencave të pushtetit vendor.

“Unë besoj te transferimi i kompetencave. Kur dikush zgjidhet kryetar bashkie nënkupton të drejtën për t’u zgjedhur, të drejtën për të taksuar dhe të drejtën për të shpenzuar. Besoj se ky është një moment i mirë që në këtë ligj, të jemi bashkë me qeverinë”, tha Veliaj. Sipas tij, nga të gjithë kryetarët e bashkive pranohet se është nonsens që ata duhet të negociojnë me qeverinë se sa do yë jetë taksa e një tabele reklamuese. Ai solli në vëmendje se kjo duhet të jetë një kompetencë totalisht lokale.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se disa prej taksave që caktohen nga Ministria e Financave, si taksa e pronës, duhet të kalojë nën kompetencën e bashkisë. Sipas tij, sot në Tiranë kemi taksat më të ulëta se në të gjitha kryeqytetet e rajonit. “Nuk po kërkojmë rritjen e nivelit të taksimit, por të rritet baza, niveli i kompetencave që kemi për të bërë diferencime brenda komuniteteve që menaxhojmë”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Veliaj theksoi se qeveria e ka përkrahur Bashkinë e Tiranës për t’u futur në partneritete publike, ku për financat që mungojnë të ftojë sipërmarrjen për të ndërtuar shkollat e nevojshme për Tiranën. “Kësaj here jo për të ndërtuar një shkollë në vit, por për të marrë brenda një viti 25-30 shkolla dhe pastaj për t’i paguar me të njëjtën shumë vjetore në formë kësti. Kjo do të na jepte mundësinë të zgjidhim menjëherë dramën e madhe sociale për infrastrukturë arsimore, duke i dhënë fund shkollave me dy turne”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u bëri sërish thirrje bashkive që nuk janë pjesë e shoqatës së bashkive, për t’u bashkuar dhe për të qenë bashkë në mbrojtje të interesave të njësive vendore.

Fjala e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj:

Dua të falenderoj të gjithë kolegët e USAID për gjithë kontributin. Nuk besoj se ka një kontribut më të mirë në zhvillimin ndërkombëtar, se sa të përdorësh taksat e shtetasve të tu, të ndihmosh një shtet tjetër se si të përdorë taksat e shtetasve të vet. Ky program është në mënyrë të veçantë shumë i mirëpritur.

Nuk i kisha parë lajmet ndërkombëtare sot në mëngjes dhe më informuan që në Neë Hampshire kishin fituar Bernie Sanders dhe Donald Trump, çka nënkupton që populizmi është diçka shumë e pëlqyeshme jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë vendet e botës. Është shumë atraktive të thuash që çdo gjë do jetë falas, pavarësisht se nga do gjenden paratë apo është shumë atraktive në kohët ku jetojmë sot të thuash që asnjë mysliman nuk do futet më në Amerikë, siç bën ekstremi tjetër i populizmit.

Unë besoj se ky grup përfaqëson në politikën qendrore, lokale dhe rajonale, realizmin dhe jo populizmin politik. Pavarësisht se si secili prej nesh mbërrin në këtë destinacion, të jesh zyrtar, qoftë kryetar apo punonjës i një bashkie, ndoshta ke përballjen më të madhe me realizmin dhe nevojat reale që ndoshta populizmi i politikës së madhe, për efekt elektoral ose nuk i kupton, ose i anashkalon në diskursin e përditshëm.

Lajmi i mirë nga takimi i sotëm ishte se edhe miqtë tanë nga Ministria e Financave po merrnin shënime gjatë kohës që po bëhej një listë propozimesh konkrete, praktike. Shpresoj që ky vullnet i mirë i dëgjimit, të përkthehet në një vullnet të mirë të adoptimit të këtyre ndryshimeve në një ligj që ne kemi ambicie të shohë votimin në Parlament brenda korrikut, që do të thotë brenda këtij sesioni parlamentar. Kemi kaluar ligje shumë më të vështira, si pensionet në pak muaj, pra, ku ka vullnet ka një rrugëzgjidhje.

Arsyeja pse insistoj që ky ligj për financat e pushtetit vendor të kalojë brenda këtij sesioni është pikërisht për faktin se teksa fillon puna për buxhetin e ri, pra shtatori, tetori i diskutimeve, ne të na gjejë tashmë me këtë instrument, për të ecur përpara. Kjo besoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Ka disa lajme të mira dhe ka disa lajme që meritojnë të përmirësohen. Lajmi i mirë është se në Shqipëri ne kemi shkuar nga një situatë totalisht kaotike me mbi 384 njësi vendore, ku përfshiheshin komuna dhe bashki, praktikisht një mentalitet ku çdo tribu kishte qeverisjen e vet vendore në një proces më të sofistikuar. Në disa komuna, dy mbiemra kandidonin sepse ato ishin dy fiset kryesore të fshatit. Ndaj nuk e thashë vetëm për humor, realisht ka qenë një shtrirje kapilare deri në një nivel absurd, ku gara ishte mes dy familjeve të mëdha të komunës, në një sistem ku sot sigurisht është më i përqendruar dhe sigurisht ka më shumë përgjegjësi.

Këtu nuk vihet në dyshim që kjo është një gjë e mirë. E gjithë pyetja është, po delegohen vetëm përgjegjësi, pra delegohen vetëm probleme apo edhe zgjidhje? Po delegohet vetëm konfrontimi publik me qytetarët të cilët Ministrinë e Financave e shohin shumë larg tek puseta që mungon, shtëpitë që digjen, lumi që merr disa banesa, tek shkollat që duhen riparuar, tek ato që kemi me dy turne, çerdhet që duhen adoptuar. Mund të adoptojmë 1, 2 apo 31 çerdhe, siç kemi bërë në Tiranë, ka qenë një projekt i mirë, ne nuk mund të adoptojmë gjithë qytetin.

Pra, duhet të kalojmë nga një situatë emergjence e menaxhimit të këtyre muajve të parë të reformës territoriale në një menaxhim më afatgjatë dhe unë besoj se një kryetar i mirë bashkie nuk lyp para nga qeveria, përkundrazi kërkon liri, që qeveria t’i japë mjetet e nevojshme, që me paratë që gjeneron vetë, të ketë mundësi t’i përdorë.

Lajmi i mirë nga 2015 – 2016 është që si nivel i GDP, nga 2.5%, transferta shkoi në 3.2%, por është ende shumë larg asaj që është mesatarja e rajonit që është diku 10-12%. Megjithatë nëse ky trend do të vijojë, besoj se brenda këtij mandati, ne do të kemi kapur 6-7 % të GDP. Dhe nëse do të vazhdojë trendi edhe në mandatin tjetër të qeverisë, atëherë besoj se do të jemi në një situatë ku të flasim si të barabartë me kolegët e rajonit.

Në rastin e Tiranës dhe besoj për ata që janë menaxherë të kryeqyteteve, ne e dimë historinë, një lëvizje demografike e justifikuar, e arsyeshme ka bërë që në shumë vende tona të ketë një koncentrim të tejskajshëm të popullatës pranë kryeqytetit, qoftë Tirana, Shkupi, Sarajeva, Beogradi, Mali i Zi, Prishtina. Në këtë sens sot kryeqytetet ofrojnë disa shërbime përtej demografisë për të cilën ishin planifikuar.

Një rast konkret: Komuna e Prishtinës që ka çerekun e banorëve të komunës së Tiranës ka dyfishin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Kjo, thjesht nuk shkon! Nuk shkon sepse megjithë kreativitetin që mund të ketë një administratë e caktuar, kreativiteti mund të adoptojë 31 çerdhe, por jo të zgjidhë probleme kritike të cilat duhet të jenë në proporcion.

Kur flas për proporcion nuk i referohem konceptit strikt tax-share, se nga ky 3.2% i GDP, Tirana merr 1/10, që i bie 0.3% e GDP, ndërkohë që qyteti gjeneron 40% të PBB, pra gjeneron 40% të ekonomisë. Realisht është sot e pamundur që ne të kalojmë në një menaxhim të qëndrueshëm të qytetit përtej menaxhimit të emergjencave të këtyre muajve të parë. Megjithatë, fakti që trendi është inkurajues besoj se është një gjë e mirë.

Unë besoj sinqerisht tek transferimi i disa kompetencave. Kur dikush zgjidhet kryetar bashkie nënkupton të drejtën për t’u zgjedhur, të drejtën për të taksuar dhe të drejtën për të shpenzuar.

Momentalisht, 46 bashki janë pjesë e shoqatës sonë të bashkive. Por, ka ardhur koha të bashkohemi dhe unë do e përdor gjithmonë këtë platformë, për të bërë ftesë për bashkinë, që të jemi bashkë në komision, të jemi bashkë me qeverinë. Ju garantoj, di të jem më shumë kritik se qeveria se sa ata që mendojnë se janë në opozitë me qeverinë, kur vjen puna tek puna.

Besoj se ky është një moment i mirë që në këtë ligj, ne të jemi bashkë me qeverinë por ajo që pranohet nga të gjithë kryetarët e bashkive, është nonsens që kryetarët e bashkive duhet t’i kërkojnë dhe të negociojnë me qeverinë, se sa do jetë taksa e një tabele reklamuese. Kjo duhet të jetë një kompetencë totalisht lokale, një tabelë reklamuese në Tiranë ka një çmim tjetër nga një tabelë në Tropojë dhe nuk ka nevojë që ne këto t’i negociojmë me qeverinë qendrore. Është nonsens që taksa e pronës megjithëse nuk mblidhet, megjithëse është me ulëta sot në Ballkan, në Shqipëri, vjen e mandatuar nga qeveria qendrore. Ne i kemi ndarë në dy kategori; shtëpitë para dhe pas ’93, por prapë ka ndryshim. Një shtëpi në bllok dhe një shtëpi në Shëngjergj, pavarësisht para apo pas ’93 kanë vlera të ndryshme. Kjo do të thotë se disa çështje si zoonimi ose si taksa e pronës, sipas vlerës, jo detyrimisht sipas vitit të ndërtimit, duhet të jenë kompetenca totalisht të qeverisë lokale.

Vetëm në Tiranë dhe ka një diapazon kaq të madh vlera e pronës. Imagjinoni tani, mes Tiranës dhe Delvinës, apo mes Tiranës dhe Malësisë së Madhe, apo Hasit. Në këtë sens, unë besoj që qeveria fiton, se çlirohet nga një stres i panevojshëm, ku duhet me 61 bashki të negociojë taksime të kësaj natyre ku këto duhet të jenë fare mirë taksa dhe tarifa vendore.

Sigurisht, bashkitë nga ana tjetër duhet të jenë gjithashtu më të zhdërvjellëta. Ne besoj që duke filluar nga muaji tjetër taksën e pronës, aq sa është 100 lekë në muaj, do ta fusim tek fatura e ujit, se shumica e qytetarëve thonë, nuk refuzoj të paguajë taksën. Për sa kohë që kjo është një taksë e detyrueshme, me pagesë vullnetare, e cila shfaqet vetëm kur dikush shkon të marri një shërbim në bashki dhe zbulon që ka 3 vjet pa paguar taksën e pronës dhe krejt papritur shkon me 500 lekë të vjetra në xhep për të marrë një certifikatë, dhe në fakt duhet të paguajnë 120 mijë lekë se ka vite pa paguar taksën e pronës. Disa anomali të tilla i shkaktojmë nga mungesa e sensit praktik, që ne kemi në mbledhjen e faturimin e këtyre taksave, që sado modeste janë, të paktën zgjerojnë bazën.

Sot në Tiranë 7% paguhet taksa e pronës. Unë i mirëkuptoj të gjithë qytetarët që kërkojnë shërbime, kërkojnë që gjërat të bëhen menjëherë. Por pyetja është: Çfarë paguajnë për këto shërbime dhe sa marrin mbrapsht nga qeveria për taksat që qytetarët dhe që rigjenerohen nga Tirana?

Sot në Tiranë kemi taksat më të ulëta të të gjithë kryeqyteteve të rajonit. Por, nuk po kërkojmë të rritet niveli i taksimit, por kërkojmë të rritet baza, niveli i kompetencave që ne kemi për të bërë diferencime brenda komuniteteve që ne menaxhojmë.

Ka edhe disa çështje të tjera që duhen adresuar në këtë ligj të ri dhe për të cilat ne duhet të bashkohemi me USAID-in, me shpresë, edhe me 15 bashkitë që janë në shoqatën tjetër, për të negociuar disa parime të tjera.

Të gjitha bashkitë e Shqipërisë, sikurse të gjitha bashkitë e rajonit, formalisht mund të kreditojnë. Praktikisht, për sa kohë që vëllai i madh e ka shpenzuar të gjithë kredit-kartën, kreditë që merr qeveria e madhe, atëherë praktikisht ti je sot i pakreditueshëm në asnjë bankë e nivelit 2 apo fonde zhvillimi.

Sot jetojmë në një situatë, që unë besoj është parajsa e kredive për bashkitë. Bankat janë në kufirin ku interesi i depozitave po shkon negativ, duhet ta paguash ti bankën të të mbaj paratë sepse bankat janë mbushur me depozita. Sot, edhe bankat e nivelit të dytë, leje më fonde zhvillimi, japin kredi bashkive ose i ofrohen bashkive, me kredi të nivelit nga 0-2 %, praktikisht pra falas. E kemi të pamundur t’i aksesojmë këto kredi sepse kemi qeverinë qendrore, që tashmë ka një tavan. Rekomandimi ynë është që, brenda këtij tavani më të arsyeshëm të një qeverie që po do të shtrëngojë rripin dhe të ushtrojë disiplinë fiskale, ne duam gjithashtu që brenda këtij tavani të jetë një minitavan 5%, 10% , 2%, që është ekskluziv për pushtetin vendor.

Siç e dini, asnjë biznes nuk rritet pa një kredi, asnjë shtëpi, asnjë ekonomi familjare nuk rritet pa marrë një kredi për shtëpi më të madhe, për automjet, për investim. Asnjë dyqan pa marrë një kredi nuk rritet, edhe bashkitë nuk rriten dot pa aksesuar kredi.

Me inkrementin, të cilit ne i gëzohemi të rritjes së grantit do të na duhen dhjetëra mandate në Tiranë që të sigurohemi, fjala vjen, që nuk do të kemi më shkolla me dy turne. Kjo është e para, pra kreditimi i bashkive. E dyta, liria që bashkitë hynë dhe këtu qeveria e meriton një falenderim, të paktën ne si Bashkia Tiranë kemi pasur përkrahje që të futemi në partneritete publike, ku për financat që ne na mungojnë dhe që nuk mund t’ i aksesojmë në treg, ftojmë sipërmarrjen të ndërtojë shkollat dhe ne të shpenzojmë ekzaktësisht çfarë harxhonin çdo vit për shkollat. Kësaj here jo për të ndërtuar nga një shkollë në vit, por për të marrë brenda një viti 25-30 shkolla dhe pastaj për t’ i paguar me të njëjtën shumë vjetore, por si këste, për t’ u siguruar që zgjidhim dramën e madhe sociale për infrastrukturë arsimore menjëherë dhe pastaj përdorim shumën, tashmë jo si investime, por si këste për të bërë këto pagesa.

Besoj se, sa më shumë instrumente të tillë ne të pranojmë në ligjin e ri, besoj më pak kokëçarje, më pak stres për qeverinë, teksa mundohet të mikromenaxhojë. Besoj se, sa më shumë prej këtyre kompetencave, sa më shumë prej këtyre arsyetimeve të zhvendosin në nivelin lokal besoj aq do të jetë mirë për të gjithë. Ndërkohë, është gjithashtu për t’ u vlerësuar se liria që qeveria na ka dhënë për t’ u futur në disa marrëveshje, siç vjen puna për ndriçimin e qytetit apo për menaxhimin e aseteve, ku të njëjtën faturë që ne i paguanim OSHEE, e paguajmë si faturë investimi, madje jo që nuk harxhojmë të njëjtën shumë, por edhe kursejmë nga futja e inovacionit, siç është energjia LED- për ndriçimin e qyteteve. Dhe besoj që, marrëveshje të tilla janë e ardhmja për shumë shërbime, të cilat kushtojnë në mënyrë të jashtëzakonshme bashkive për t’ i mirëmbajtur, për t’ u siguruar që këto shërbime jepen për qytetarët.

SHKARKO APP