Veliaj uron 108-vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit: Politika i ka shumë gjynahe policisë, ndjesë! Faleminderit për punën tuaj në sigurinë e qytetit
Ditën e 108-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e ka nisur me një urim dhe shprehje mirënjohjeje për të gjithë punonjësit e policisë, të cilët ndihmojnë çdo ditë që qyteti të jetë më i sigurt, por nuk mungojnë asnjëherë që të jenë në vijën e parë të ndihmës në raste emergjencash. Veliaj tha se Tirana është një nga kryeqytetet më të sigurta në rajon dhe me numrin më të ulët të kriminalitetit.
“I jam mirënjohës secilit prej jush, që nga kolegu që patrullon në rrugë, ata që ndihmojnë në lehtësimin e trafikut, e deri te skuadrat e Policisë së Shtetit që bëhen njësh me skuadrat tona të emergjencave, sa here ka fatkeqësi natyrore. Fakti se qytetarët shohin policinë si portën e parë ku qajnë hallet, dhe jo politikën, është komplimenti më i madh që shoqëria jonë i bën Policisë së Shtetit”, tha Veliaj.
Duke prekur temën e sigurisë në qytet, kryebashkiaku shtoi se statistikat tregojnë se Tirana është kryeqyteti më i sigurt në rajon. “Shikoni statistikat për numrin e vrasjeve, vjedhjeve dhe incidenteve. Është sot kryeqyteti më i sigurt në rajon, e ndoshta shumë më i sigurt se edhe disa kryeqytete evropiane. Sigurisht, kemi fenomene, por nuk kemi atë nivel kriminaliteti që pasqyron politika për të fituar pikë, e kështu mundohet të ndyjë Policinë e Shtetit”, tha ai.
Veliaj i shprehu mirënjohjen të gjithë punonjësve të policisë për sakrificat në shërbim të komunitetit. Ai u kërkoi ndjesë atyre në emër të klasës politike, e cila sipas tij, i ka shumë gjynahe policisë, duke filluar nga përdorimi si “mish për top” i militantëve për të sulmuar efektivët. “Herën e fundit kur pashë pamjet e këtij institucioni ishte kur ca politikanë erdhën të rriheshin me Policinë e Shtetit. Kjo nuk shkon, prandaj ju kërkoj një ndjesë të thellë! Kur shihni politikanë që rrinë me trafikantë, është e vështirë ta bëni siç duhet punën tuaj. Kur shihni politikanë që takohen skutave me rrugaçë, kjo ua vështirëson punën. Politika i ka shumë gjynahe policisë, duke filluar nga përdorimi si “mish për top” i militantëve për të sulmuar policinë, siç bënë në ngjarjet e dhjetorit, kur u përpoqën të shfrytëzonin një fatkeqësi për pikë. Familja e djalit të ndjerë tregoi shumë dinjitet, kurse politika aspak!”, theksoi ai.
Kryebashkiaku shtoi se njerëzit e inkriminuar, të cilët nuk e kanë kaluar Vettingun në profesionet e tyre si gjyqtarë e prokurorë, nuk mund të lejohen të kandidojnë si politikanë. “S’mund të lejojmë që njerëzit e inkriminuar, të cilët nuk e kalojnë Vettingun në profesionet e tyre si gjyqtarë e prokurorë, të kandidojnë si politikanë dhe t’i bëjnë karshillëk policisë. Përndryshe, e gjithë puna për t’i ndëshkuar paska qenë e kotë! Ne si klasë politike, duhet të shkojmë përtej kësaj ndjese formale që po bëj sot, dhe të hedhim hapa konkretë, në mënyrë që askush të mos i bëjë karshillëk Policisë së Shtetit”, tha Veliaj, në fjalën e tij në ceremoninë e 108-vjetorit të Policisë së Shtetit.