Veliaj: Viti i ri do na gjejë në banesat e reja, së shpejti miratojmë dëmshpërblimin për 500 raste me dëmtime të pjesshme

Familja e Edmond Zelës nga Vishnja, e cila u prek rëndë nga tërmeti i 21 shtatorit, do të bëhet me shtëpi të re para festave të fundvitit. Puna për rindërtimin e saj është duke ecur me shpejtësi dhe aktualisht ka përfunduar pjesa e konstruksionit të saj, ndërsa po punohet për suvatimin dhe instalimet elektrike/hidraulike. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me deputeten e PS, Blerina Gjylameti, inspektoi punimet për shtëpinë e re, e cila do ofrojë kushte shumë më të mira banimi për 7 familjarët e shtëpisë dhe tre vajzat e vogla.

“Premtuam se do vijmë tre herë; një herë kur ra tërmeti, për të dhënë ndihmën e parë, herën e dytë për të parë si po shkojnë punimet, ndaj jam sot shumë krenar për të gjithë ata sipërmarrës që kanë adoptuar familje me fëmijë të vegël, me persona me aftësi të kufizuar, në zona të largëta nga qendra e Tiranës, ndonjëherë larg syrit të atij që kalon përditë në një rrugë kryesore. Herën e tretë do të vijmë kur të përfundojë shtëpia”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se pavarësisht kohës së shkurtër, kompanitë që kanë adoptuar shtëpitë për rindërtim, po punojnë me cilësi. “Po bëhet me të njëjtën cilësi siç bëhet një vilë, nga kompani që tipikisht ndërtojnë vila dhe shtëpi për pasanikët, sepse unë besoj se nëse marrim përsipër një punë do e bëjmë me cilësinë maksimale. Ndaj, po e bëjmë me cilësi maksimale edhe këtë shtëpi për dy familjet e mrekullueshme në Vishnje, e mezi pres që bashkë me Blerinën të kthehemi prapë përpara festave, për të parë si është mobiluar dhe që fëmijët kanë një strehë të ngrohtë”, deklaroi ai.

Veliaj shtoi se tërmeti i 21 shtatorit tregoi edhe njëherë se Tirana është një qytet solidar me njerëzit në nevojë. “Nuk kemi çfarë i bëjmë tërmetit, përmbytjeve, janë dukuri natyrore që duhet t’i përballojmë pa panik, por pasi mbaron kriza pyetja është: A ngrihemi shpejt në këmbë? Ajo që është më e rëndësishme është solidariteti i njerëzve që i janë gjendur njëri-tjetrit, të rinjve vullnetarë, kompanive që kanë marrë përsipër të rindërtojnë një shtëpi, i të gjithë qendrave tona sociale, i ekipit tonë të emergjencave, që qëndron pas çdo situate, është krenari. Edhe pse po punohet në ditë festash apo fundjavë, mezi pres që të hapim shtëpitë e reja dhe Viti i Ri të na gjejë me një shtëpi të re dhe me një shpresë të re për familjet tona”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Një tjetër lajm i mirë është dëmshpërblimi i të gjithë atyre që kanë pasur dëmtime të pjesshme të banesave nga tërmeti. Kryebashkiaku Veliaj siguroi se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak do të miratohet dhënia e dëmshpërblimit për familjet e tjera. “Përveç familjeve që janë adoptuar, pra që po u bëhet shtëpia nga e para, ka pasur plot raste për dëmtime të pjesshme. Mënyra më e mirë se si edhe këto familje të marrin paratë e tyre para fundit të vitit, që të kenë mundësi t’i meremetojnë që ato pak rregullime dhe secilin ta gjejë viti i ri në një shtëpi shumë herë më dinjitoze sesa ajo që na la pas tërmeti”, theksoi Veliaj.

Deputetja e PS, Blerina Gjylameti tha se ky është një tjetër premtim i mbajtur për familjet e prekura nga lëkundjet e forta të tërmetit, të cilat tashmë do të kenë një banesë të re shumë herë më të mirë edhe se ajo që kishin më parë. “Jam shumë e kënaqur që shoh nga afër sesi po kthehet në realitet ajo që premtuam me Erionin para disa kohësh. Nuk kanë kaluar shumë ditë nga momenti kur ndodhi tërmeti, por ama e kemi parë realisht nga afër sesi falë solidaritetit, falë thirrjes që iu bë disa firmave që adoptuan disa shtëpi, por edhe njerëzve që u bashkuan për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë, sot po kthejmë në një realitet shumë herë më të mirë edhe se realiteti që kishte më përpara familja Zela. Jam e bindur që së bashku do i festojmë festat këtu, si shumë familje të tjera, me kushte shumë më të mira se sa ato që kishim më përpara”, deklaroi Gjylameti.

SHKARKO APP