Veliaj vizitë në Amiens, Tirana pjesë e rrjetit të Kryeqyteteve Evropiane të Rinisë
Tirana është tashmë pjesë e rrjetit të Kryeqyteteve Evropiane të Rinisë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një vizitë të shkurtër në Amiens të Francës, i ftuar nga autoritetet vendore të qytetit, për të marrë pjesë në nisjen zyrtare të aktiviteteve si Kryeqyteti Rinor Evropian për vitin 2020. Tirana do të marrë drejtimin si Kryeqytet Evropian i Rinisë në vitin 2022, pasi u shpall fituese në nëntor. “Sot është një ditë shumë e bukur për Tiranën, pasi jemi bërë pjesë e rrjetit të Kryeqyteteve Evropiane të Rinisë. Radha jonë vjen në vitin 2022. Stafetën e kryesimit sapo e ka marrë qyteti francez i Amiensit, më pas do të vazhdojë në Lituani, dhe pas dy vitesh do të jetë radha e Tiranës”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se Tirana, bashkë me shumë organizata rinore, ka përgatitur një agjendë ambicioze për një vit të suksesshëm në 2022. “Kemi përgatitur një agjendë jashtëzakonisht ambicioze me organizatat rinore. Bashkia e Tiranës është përgatitur jo vetëm të ketë një vit të suksesshëm, si një kartolinë e asaj që është Shqipëria e të rinjve, Shqipëria e shpresës dhe e optimizmit. Do të kemi një aktivitet fillestar në janar të vitit 2022, për të vijuar më pas me rreth 100 aktivitete, deri në fund të vitit, ku do të kemi jo vetëm shumë personalitete nga Europa, por do të promovojmë më të mirën që ka për të ofruar rinia shqiptare”, theksoi ai.
Veliaj e cilësoi përpjekjen e sinqertë për të modernizuar Tiranën si histori suksesi, që do të mbetet në kohë. “Në 100 vjetorin e Tiranës, i cili sapo ka filluar me shpalljen e logos së re dhe me një seri aktivitetesh që do e pasojnë atë, do të kemi një provë të madhe gjenerale sesi jo vetëm jemi kryeqyteti dinjitoz i Shqipërisë moderne, por edhe një kryeqytet i Rinisë, i cili besoj do të lërë pa fjalë të gjithë ata që do të vizitojnë Tiranën. Jo se çdo gjë është perfekt, por se çdo gjë është në progres e sipër. Përpjekja jonë e sinqertë për të transformuar Tiranën, për ta modernizuar më tej atë, do të jetë historia jonë e suksesit në afatgjatë”, deklaroi kryebashkiaku.
Në nëntor 2017, Amiensi u përzgjodh Kryeqyteti Rinor Evropian për vitin 2020, duke u bërë kështu qyteti i parë francez që mori këtë titull dhe u shpërblye për përpjekjet e tij në drejtim të politikave rinore. Ndërkaq, Tirana e mori këtë titull pikërisht nëntorin e vitit të kaluar.