Vëllezërit Shyti kundërpërgjigjen:Një premtim për ata që ende besojnë në shpifjet e Sali Berishës

 

Një premtim për ata që ende besojnë në shpifjet e Sali Berishës

Leart Shyti

Orik Shyti

(Vetëm për ata që besojnë në ato që Sali Berisha deklaron për “Hakmarrjen për Drejtësi”)

Të nderuar ithtarë, nuk ka rëndësi sa jeni, pak, disa apo shumë. Sado që të jeni, ne nuk ju barazojmë me Idhullin tuaj, të cilin e përçmojmë dhe e përbuzim për gjithë ato që na ka bërë edhe vazhdon të na bëjë. Jeni në të drejtën tuaj ta besoni. Ajo që na shtyn t’u drejtohemi nuk ka të bëjë me ndonjë përpjekje që t’iu mbush mendjen për të mos e besuar, por me një premtim që duam t’ju bëjmë, e që merr shkak nga përsëritja që u paska bërë mbrëmë (dt.27.01.’15), në studion e TV “Njuz 24”, akuzave për përfshirjen tonë në veprimtarinë kriminale të drogës. Madje paska ngulur këmbë se edhe fabrika (laboratori) e zbuluar së fundmi në Elbasan është jona.  

Në shtator 2005, ditën që Saliu mori votëbesimin për të qeverisur vendin i kërkuam botërisht të vërtetonte akuzat e panumërta që na kishte bërë për ndërtim pallatesh e vilash “me parat e krimit” dhe me mbështetjen e drejtuesve politikë të krahut kundërshtar të tij. Saliut i thamë të konfiskonte gjithçka që kishte thënë se kishim ndërtuar dhe vlera e tyre të shkonte në ndihmë të fëmijëve të Tropojës, të mbetur jetimë nga vrasjet e nxitura prej tij.

Ishte plotësisht në kompetencën e tij si Kryeministër, ishte plotësisht detyrim moral i tij që, ato që iu kishte thënë qytetarëve për vite me radhë t’i konkretizonte dhe t’u thoshte: “Ja ku janë, nuk kam gënjyer!”. Gjithashtu, kishte plotësisht të drejtë t’i konfiskonte, se lejen ia kishim dhënë ne, “pronarët”. Se çfarë bëri për tetë vjet në krye të vendit për pallatet dhe vilat e “Hakmarrjes” është e njohur. Heshti. Heshti se, a mund të kërkosh atë që nuk ka ekzistuar kurrë, por që e ke shpifur për të poshtëruar të tjerët dhe baltosur kundërshtarët politikë? Por heshtja qe e përkohshme, sepse akuzat i vazhdoi kinse për sheshe ndërtimi të marra si “shpërblim” për krimet që “Hakmarrja” kryente me porosi të kundërshtarëve të tij politikë. 

Meqë ai e shpërdoroi mundësinë që i krijuam dhe sot nuk është as në pushtet, premtimin e ri po e bëjmë për ju. Siç e dini, i besuari juaj edhe pasi humbi karrigen kryeministrore vazhdon të shprehet se ka besim tek Prokuroria. Megjithëse ne vërejmë se ka mbaruar koha kur Saliu bënte ham-ham dhe Sollaku i mbante ison me ham-ham, e bam mbi ne, mbi lidhjet tona familjare e shoqërore reale dhe imagjinare, prapëseprapë nuk e kemi të lehtë të besojmë atje ku beson Saliu.

Por, pavarësisht përvojës sonë të hidhur me prokurorinë, ne vlerësojmë shumë faktin që Saliu beson tek ajo, prandaj po ofrojmë premtimin tonë:

Në qoftë se nga hetimet gjendet një fakt i vetëm që provon se ne jemi marrë me drogë në çfarëdo forme, qoftë edhe të kemi prekur një gjethe kanabisi, apo të kemi qenë në dijeni për çfarë u zbulua në Elbasan, atëherë, do pranojmë botërisht se jemi autorë të gjithë krimeve për të cilat Sali Berisha na ka akuzuar. Dhe jo vetëm kaq, por do marrim përsipër edhe të gjitha krimet për të cilat kanë akuzuar atë vetë, filluar nga autobomba tek VEFA në 1996 e deri tek vrasjet e 21 janarit 2011. Mjetet e përdoruara për ato krime le t’i përcaktojë ai, ne do t’i pranojmë në dashtë të thotë me telekomandë apo me fitil për shpërthimet, në dashtë me snajper, me thika me helm, me stilolaps-pistoletë, me çadër-pistoletë për të vrarët, a si t’i vijë për mbarë.

Siç po e vini re, ata që rrezikojnë nga ky premtim jemi ne. Edhe në qoftë se nuk gjendet asnjë provë, Saliu nuk e humbet të drejtën për të shpifur dhe as ju nuk e humbisni të drejtën për ta besuar, dashur e mbështetur.

28.01.’15

SHKARKO APP