”Vendet më të mira për të bërë biznes”, Forbes: Shqipëria e 74-a në botë
Raporti i fundit i publikuar nga Forbes tregon se cilat janë shtetet më të mira për të bërë biznes në vitin 2019 dhe Shqipëria nuk bën pjesë në listën e shteteve më atraktive. E pozicionuar në vendin e 74, në gjysmën e dytë të listës prej 161 shtetesh, Shqipëria nuk ofron mundësi për të bërë biznes krahasuar me rajonin.
Të dhënat bazohen në raportet e publikuara nga Freedom House, Fondacioni Heritage, Aleanca për të Drejtat Pronësore, Kombet e Bashkuara, Transparency International, Grupi i Bankës Botërore, Marsh & McLennan dhe Forumi Ekonomik Botëror, mbi të gjithë metodologjinë e tyre dhe parametrat ekonomikë, sociale dhe politikë mbi raportet e vitit të fundit të këtyre emrave.
Shqipëria nuk ka lëvizur asnjë pozicion nga një vit më parë. Sipas të dhënave të Forbes, Shqipëria ka një popullsi prej 3.1 milionë banorësh, bilancin tregtar e ka negativ prej -6.9 % dhe GDP për kapital është 4500 dollarë. Penalizimet e marra janë në fushën e korrupsionit, lirisë së medias, së tregtisë, çështjet e pronësisë, kriminaliteti, atraktiviteti për të bërë biznes sipas incentivave, inovacioni etj.
Dy treguesit ku Shqipëria ka renditjen më negative janë të drejtat e pronësisë dhe barra e taksave, ku Shqipëria renditet e 102-a. Problemi i tretë është mungesa e inovacionit (91) dhe në vend të katërt është korrupsioni (81). Më mirë paraqitet në tregtinë e lirë (12) dhe mbrojtjen e investitorëve (e 25). Shqipëria ka taksat më të larta në rajon, së bashku me Bosnjë Hercegovinën.
Në listën e plotë të publikuar nga Forbes, kryeson Britania e Madhe dhe ky fakt ka çuditur të gjithë mediat, duke konsideruar edhe procesin e Brexit që po përfshin jo vetëm Britaninë, por të gjithë Europën.
KOHA JONË SONDAZH

