Vendimet e Gjykatave në Shqipëri/Burg kur braktis qenin, gjobë kur braktis foshjnën

Të shkosh si i pandehur në gjykatë për braktisjen e qenit të shtëpisë mund të të kushtojë një dënim më të ashpër sesa braktisja e një foshnjeje të porsalindur. Kjo ka ndodhur në Gjykatën e Tiranës, ku për një të akuzuar për lënien e një qeni në rrugë është dhënë dënim me burg, ndërsa për foshnjen dënim me gjobë.

Vendimet gjyqësore të siguruara nga A2 i përkasin dy historive të ndara nga njëra-tjetra. Sipas një vendimi gjyqësor, 55-vjeçari me iniciale N. S. nga Bërzhita është marrë i pandehur për shkak se në janar 2020, qeni i tij ka kafshuar fqinjin në një nga rrugët e fshatit, duke i shkaktuar plagë në këmbë. Gjykata arsyeton në vendim se i pandehuri, si zot i qenit, nuk kishte marrë masa mbrojtëse për kafshën e shoqërimit në ambiente publike. Për gjykatën ai ka neglizhuar, duke mos parashikuar pasoja që duhet t’i parashikonte. Për këtë shkak, 55-vjeçari u dënua me 1 muaj burg për akuzën e “braktisjes së kafshës së shoqërimit”. Ai nuk ka shkuar asnjë ditë në qeli, pasi gjykata ka konvertuar dënimin me 2 muaj shërbim prove.

Ndërsa përmes një vendimi tjetër, një 26-vjeçare është fajësuar nga Gjykata e Tiranës për braktisjen e foshnjës së saj të porsalindur para portës së fshatit SOS në zonën e Saukut, në kryeqytet. E reja me iniciale M.D ka treguar për gjykatën se ishte braktisur nga babai i foshnjës gjatë shtatëzanisë dhe se nuk kishte asnjë mundësi financiare dhe kushte për rritjen e saj. Ajo ka shfaqur pendesë në gjykim dhe ka provuar se mbante kontakte me të bijën e sistemuar në fshatin SOS dhe ka për qëllim të krijojë kushte për t’iu përgjigjur si nënë. Por, vepra penale rezulton të jetë konsumuar dhe për këtë ajo është dënuar përfundimisht me 50 mijë lekë gjobë.

SHKARKO APP