Vendimi i ri nga qeveria, ish-zyrtarët mund të marrin mbrojtje nga Garda nëse…

Qeveria ”Rama 3” ka miratuar një vendim të ri që u jep të drejtë ish-zyrtarëve të lartë shtetërorë të përfitojnë mbrojtje personale dhe për banesën nga Garda e Republikës, nëse janë të rrezikuar pas përfundimit të detyrës së tyre. Mbrojtja jepet vetëm nëse rreziku lidhet drejtpërdrejt me funksionin e mëparshëm dhe kërkesa duhet të paraqitet brenda 6 muajve nga largimi nga detyra. Vendimi i mbrojtjes merret nga një Komision i Posaçëm, ku bëjnë pjesë përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, dhe mbrojtja nuk mund të zgjasë më shumë se 1 vit, përveçse në raste të veçanta.

Vendimi i plotë

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE, TË PROCEDURAVE DHE TË KOHËZGJATJES SË MBROJTJES PERSONALE DHE BANESËS SË PERSONALITETEVE TË TJERA PAS PËRFUNDIMIT TË DETYRËS

Swiss Digital Desktop Reklama

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, pika 4, e 14, pika 3, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: I. KUSHTET PËR TË PËRFITUAR MBROJTJEN E VEÇANTË

Swiss Digital Mobile Reklama

1. Garda e Republikës së Shqipërisë ruan e mbron, pas përfundimit të detyrës, personalitetet apo banesën e tyre, kur u rrezikohet jeta, shëndeti apo familja, për shkak të detyrës që kanë kryer.

2. Kushtet për të përfituar ruajtjen fizike dhe mbrojtjen e banesës janë:

a) prania e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, shëndetin apo familjen e personalitetit apo banesën e tij, brenda gjashtë muajve nga përfundimi i detyrës;

b) prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe ushtrimit të funksionit të mëparshëm nga personaliteti.

II. PROCEDURA PËR DHËNIEN E MBROJTJES SË VEÇANTË

1. Kërkesa për mbrojtjen, sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, i paraqitet me shkrim ministrit të Brendshëm nga vetë personaliteti i rrezikuar.

2. Kërkesa për mbrojtje përmban:

a) gjenealitetet e plota të kërkuesit;

b) një përmbledhje të fakteve dhe të rrethanave, që përbëjnë rrezik serioz për personalitetin apo banesën e tij, të cilat e detyrojnë të kërkojë mbrojtje edhe pas përfundimit të detyrës.

3. Ministri i Brendshëm urdhëron menjëherë, por jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë, mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për të bërë vlerësimin e kërkesës.

4. Komisioni i Posaçëm vlerëson kërkesën e paraqitur, si autoriteti vendimmarrës për mbrojtjen e veçantë.

5. Pas shqyrtimit të kërkesës për nevojën e mbrojtjes së personalitetit apo të banesës së tij, komisioni merr vendim brenda 48 (dyzet e tetë) orëve. Vendimi u njoftohet ministrit të Brendshëm dhe personalitetit të rrezikuar.

6. Komisioni, në procesin e shqyrtimit të kërkesës për mbrojtje, sipas këtij vendimi, mund të kërkojë informacione nga institucione të tjera.

7. Vendimi përmban nivelin e sigurisë dhe masat e mbrojtjes, numrin e truprojave apo të rojeve për banesën, afatin e mbrojtjes, si dhe masa të tjera, që lidhen me këtë mbrojtje.

8. Mbrojtja e personalitetit apo e banesës zgjat për aq kohë sa janë të pranishme rrethanat e rrezikut, por jo më shumë se një vit.

9. Me përfundimin e afatit maksimal të mbrojtjes, sipas pikës 8, të këtij kreu, Komisioni i Posaçëm vendos për:

a) vijimin e mbrojtjes me të njëjtat masa;

b) përfundimin e mbrojtjes;

c) ndryshimin e masave të sigurisë.

10. Pas vendimit të komisionit, Garda e Republikës merr menjëherë në mbrojtje personalitetin apo banesën e rrezikuar, duke zbatuar masat e përcaktuara në vendim.

III. PËRBËRJA DHE FUNKSIONIMI I KOMISIONIT TË POSAÇËM

1. Komisioni i Posaçëm përbëhet nga:

a) zëvendësministri i Brendshëm;

b) zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit;

c) zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës;

ç) një përfaqësues i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;

d) një përfaqësues i Byrosë Kombëtare të Hetimit;

dh) një përfaqësues nga Shërbimi Informativ i Shtetit, në nivel drejtor drejtorie;

e) një përfaqësues nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në nivel drejtor drejtorie.

2. Kryetar i Komisionit të Posaçëm, të përcaktuar në pikën 1, të këtij kreu, është zëvendësministri i Brendshëm.

3. Pjesëmarrja në mbledhjet e komisionit është e detyrueshme. Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur janë të pranishëm jo më pak se 5 (pesë) anëtarë me të drejtë vote.

4. Vendimet e komisionit janë të vlefshme kur miratohen nga më shumë se gjysma e anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

5. Kryetari i komisionit cakton një sekretariat teknik, i cili mbështet organizimin, funksionimin dhe mban procesverbalin e zhvillimit të mbledhjes.

IV. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?