Vendimi për ndërtesat mbi 50-vjeçare, Muçaj dhe Shkreli: Godinat do të inspektohen, më pas do të vlerësohen për ndërhyrje
Ministria e Infrastukturës dhe Energjitikës ka sqaruar projekt-vendimin e qeverisë për inspektimin e gjendjes teknike të godinave mbi 50-vjeçare. Në një deklaratë për media, zv.ministrja e MIE, Enkelejda Muçaj dhe Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Artan Shkreli ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për shembje të ndërtimeve. Sipas tyre projektligji që ka për qëllim të auditojë godinat për të parandaluar kështu ndonjë fatkeqësi të mundshme, nuk ka të bëjë direkt me shembjen e tyre. Godinat e viteve 50’-60’ do të inspektohen, më pas do të vlerësohet nëse do të kenë nevojë për ndërhyrje, shembje apo mund të rezultojë edhe të jenë brenda standardeve.
Enkelejda Muçaj-Ky projekt-vendim nuk ka të bëjë me shembje banesash por ka qëllim të rregullojë procedurat ligjore për një auditim të gjendjes së tyre fizike dhe të qëndrueshmërisë së këtyre objekteve, duke hedhur poshtë kësisoj të gjithë gënjeshtrat dhe dezinformimet që janë dhënë sot lidhur me këtë proces. Të dashur qytetarë bëhet fjalë për një proces tërësisht ligjor, të nisur pas tërmetit në 2019. Dëshirojmë të sqarojmë publikun e gjerë se projektvendimi është ende në fazë diskutimi.
Artan Shkreli-Për hir të së vërtetës, procesi nuk është proces i ri, ka filluar mbi dy vjet më parë, është miratuar në Kuvend një amendim i ligjit për disiplinimin e kontrollin e punimeve dhe ndërtimit.
Të gjitha objektet që kanë një moshë mbi gjysmë shekullore, duhet t’i nënshtrohen një auditi teknik, që do të nxjerrë në pah çfarë patologjish kanë, dhe nëse nxjerrin në pah patologji të rënda, këto objekte shteti ka për qëllim të ndërhyjë dhe t’i sjellë në norma. U tha që me mbarimin e procesit të rindërtimit, do të fillonte procesi auditit të këtyre godinave, në mënyrë që largqoftë një projekt tjetër me përmasa të mëdha, të minimizojë sa më shumë dëmet.
Ky nuk është një proces i cili ka për qëllim shembjen e objekteve, ky është një proces si një njeri që pasi kalon moshën 50-55 vjeç shkon e bën check in, e njëjta gjë bëhet edhe me godinat, mund të ketë edhe godina që janë në gjendje të mirë. Flitet për godina të bëra në vitet 50-60.