Vendimi/ Shitja e pronave shtetërore dhe bujqësore do të realizohet nga Ministria e Financave

Shitja e të gjitha pronave shtetërore që nuk janë shitur nga ish- Agjencia Kombëtare e Privatizimit dhe degët e saj në rrethe, do të kryhet nga Ministria e Financave.

Është vendimi i marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave i cili ngarkon Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike në Ministrinë e Financave që të realizojë të gjitha shitjet e objekteve, pronave shtetërore dhe ato bujqësore.

Në VKM parashikohet edhe procedura e aplikimit të të gjithë personave dhe subjekteve të interesuara për blerjen e pronës së shtetit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Vendimi i Këshillit të Ministrave

Swiss Digital Mobile Reklama
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.413, DATË 25.6.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE TË SHITJES SË TROJEVE NË PËRDORIM, SIPËRFAQE TË DOMOSDOSHME DHE TROJEVE SHTESË FUNKSIONALE TË NDËRMARRJEVE, SHOQËRIVE TREGTARE, TË OBJEKTEVE SHTETËRORE TË VEÇUARA, TË PRIVATIZUARA, TË OBJEKTEVE APO NDËRTESAVE TË SHITURA TË ISH-KOOPERATIVAVE BUJQËSORE SI DHE TË NDËRTESAVE TË NDËRTUARA NË BAZË TË LEJEVE TË NDËRTIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9967, datë 24.7.2008, “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.4, datë 9.7.2008, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim të shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros të këtyre ndërmarrjeve””, të ligjit nr.10270, datë 22.4.2010, “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij”, të ndryshuar, dhe të neneve 3 e 4, të ligjit nr.7980, datë 27.9.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.413, datë 25.6.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në kreun I bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
a) Pikat 2 dhe 3 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Shitja e truallit të pashitur, sipërfaqe e domosdoshme, e ndërmarrjeve dhe objekteve shtetërore, të privatizuara nga ish-Agjencia Kombëtare e Privatizimit, degët e saj në rrethe, nga ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe Privatizimit të Ndërmarrjeve Bujqësore, me degët e saj në rrethe, si dhe trojet e objekteve apo ndërtesave të shitura, pronë e ish-kooperativave bujqësore, të bëhet, në përputhje me këtë vendim nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, sipas genplanit dhe dokumentacionit në momentin e privatizimit të tyre. Kjo drejtori kryen edhe shitjen e trojeve të ndërmarrjeve e të objekteve të tjera shtetërore, të privatizuara para krijimit të këtyre agjencive, si dhe të truallit të ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, sipas genplaneve dhe dokumentacionit në kohën e lëshimit të lejes së ndërtimit, në të cilin janë përcaktuar objekti apo sheshi i ndërtimit.
3. Personi fizik apo juridik privat, i cili do të blejë truallin e ndërmarrjes ose të objekteve, sipas përcaktimit në pikën 2, të kreut I, të këtij vendimi, duhet të paraqesë pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për Drejtorinë e Drejtimit të Pronës Publike, dokumentet e mëposhtme:
a) Kërkesën, me shkrim, për blerje të truallit;
b) Kartelën e pasurisë apo certifikatën e pronësisë të noterizuar, nëse e ka, së bashku me hartën treguese për objektin apo objektet që ka në pronësi, të lëshuar nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
c) Kopjen e noterizuar të kontratës së privatizimit të objektit, të ndërmarrjes, së bashku me genplanin në momentin e privatizimit apo kopjen e noterizuar të lejes së ndërtimit, së bashku me genplanin e miratuar sipas lejes së ndërtimit, për rastet e objekteve të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim;
ç) Mandatin e arkëtimit për pagesën e taksës së përdorimit të truallit, nga data 7.6.2010 deri në momentin e paraqitjes së kërkesës për blerjen e truallit.”.
b) Në pikën 4, fjalët “… dhe zyrës përkatëse vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme …” dhe “,… dhe hartën treguese me të dhënat e nevojshme gjeografike për zonën përkatëse …,” hiqen.
c) Në pikën 5, fjalia “Ndërsa, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave, i përcjellin kësaj drejtorie hartën treguese përkatëse, me të dhënat e nevojshme gjeografike dhe statusin e truallit që kërkohet të privatizohet” shfuqizohet.
ç) Pas pikës 5 shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:
“5.1. Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, merr informacionin e nevojshëm për statusin juridik të pasurisë që kërkohet të privatizohet, nëpërmjet sistemit digjital (në formë elektronike) të zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në rastet kur e gjykon të arsyeshme, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, i kërkon, me shkrim, zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme informacion apo dokumentacion në lidhje me objektin apo objektet që kërkuesi ka në pronësi si dhe statusin e truallit që kërkohet të privatizohet.”.
2. Në kreun II bëhen ndryshimet dhe shtesat, e mëposhtme:
a) Pikat 1, 2 e 3 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. Me “sipërfaqe shtesë funksionale”, nënkuptohet sipërfaqja që kërkohet nga pronarët e ndërmarrjeve, të objekteve të privatizuara dhe të ndërtesave të ndërtuara në bazë të lejeve të ndërtimit, të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.8.1991 e në vazhdim, për zgjerim, shërbime apo ristrukturim të veprimtarisë.
2. Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, kryen procedurën e shitjes së sipërfaqeve shtesë funksionale të objekteve, sipas përcaktimit në pikën 2, të kreut I, të këtij vendimi, duke përfshirë edhe objektet e privatizuara nga kjo drejtori.
3. Kërkesa për kryerjen e kësaj procedure paraqitet nga kërkuesit pranë Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, së bashku me genplanin e sipërfaqes së kërkuar për t’u blerë, të përgatitur nga ekspertë të licencuar si dhe dokumentacionin sipas përcaktimit në pikën 3, të kreut I, të këtij vendimi, (përjashtuar mandatarkëtimin për pagesën e taksës së truallit).”.
b) Në pikën 4, fjalët “… dhe zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, …”, “… dhe statusin e truallit në zonën përkatëse.”, “… dhe zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, …” dhe fjalia “Zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme konfirmon statusin juridik të truallit dhe hartën treguese me të dhënat e nevojshme gjeografike.” hiqen.
c)  Pas pikës 5 shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:
“5.1 Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, merr informacionin e nevojshëm për statusin e truallit që kërkohet të privatizohet, nëpërmjet sistemit digjital (në formë elektronike) të zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në rastet kur e gjykon të arsyeshme, Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, i kërkon, me shkrim, zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme informacion apo dokumentacion në lidhje me objektin apo objektet që kërkuesi ka në pronësi si dhe statusin e truallit që kërkohet të privatizohet.”.
3. Kudo në këtë vendim, emërtimet “Ministria e Financave” dhe “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave” zëvendësohen, përkatësisht, me me “Ministria e Financave dhe Ekonomisë” dhe “Agjencia e Trajtimit të Pronave”.
II. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimin në “Fletoren zyrtare”
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
SENIDA MESI

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?