Vendosja e oficerit ndërlidhës të Europolit, shtysë në luftën ndaj krimit
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes midis Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për bashkëpunimin e zbatimit të ligjit, mbi vendosjen e oficerit ndërlidhës të Europol-it. Pasi në komision ishte kuorumi i nevojshëm, zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari paraqiti projektligjin. Ai tha se projektligji merr rëndësi pasi ardhja në Tiranë e oficerit të Europol-it i jep një shtysë të re bashkëpunimit ndërkombëtar kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
”Marrëveshja ka 9 nene. Është një nisëm e rëndësishme në bashkëpunimin ndërkombëtar kundër krimi të organizuar”, tha ai. Ndërsa relatori Alket Hyseni tha se ky projektligj ka rëndësi edhe nga pikëpamja teknike, por dhe nga pikëpamja politike. “Rëndësia qëndron në faktin bashkëpunimin me partnerët për të goditur krimin në çdo formë të tij. Operacionet e ditëve të fundit të ministrisë së Brendshëm me bashkëpunimin e ndërkombëtarëve kanë rezultuar në goditje të suksesshme të krimit të organizuar”, tha ai.
Po ashtu, Hyseni theksoi se nuk ka më në Shqipëri njerëz me imunitet apo të paprekshëm nga ligji. “Kjo është fuqia e ligjit”, tha ai. Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja kaloi në votim në parim dhe në tërësi, projektligjin mbi vendosjen e oficerit ndërlidhës të Europol-it”. Relacioni pas miratimit i kalon komisionit përgjegjës dhe më pas Kuvendit të Shqipërisë për miratim.
Po ashtu, Komisioni i Ligjeve miratoi edhe projekt-ligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Zogaj për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve në Liqenin e Shkodrës”. Projektligji ka për qëllim ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Malit të zi për hapjen e e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Zogaj për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve në Liqenin e Shkodrës”.
“Në fakt shtysë e hapjes së kësaj pike ka qenë një marrëdhënie e mirë mes dy vendeve. Duke çmuar gjithmonë e më shumë rritjen e fluksit të pasagjerëve në të dy anët e kufirit sipas një vlerësimi të bërë nga dy vendet dhe është parë me vend lehtësimi i lëvizjeve mes dy vendeve, si dhe lehtësimi i lëvizjes për turizëm të asaj zone ”, tha zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda. Në fund komisioni votoi në parim dhe tërësi marrëveshjen mes dy vendeve dhe ia dërgoi Kuvendit për ta miratuar në seancë plenare.
Komisioni për Sigurinë Kombëtare në rendin e ditës sot kishte paralelisht me Komisionin e Ligjeve miratimin e dy projekt-ligjeve për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Zogaj për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve në Liqenin e Shkodrës”
Pasi mori fjalën nga drejtuesja e komisionit, Ermonela Felaj, zv.ministrja Rovena Voda u shpreh se kjo marrëveshje ka në fokus qarkullimin ndërkombëtar të pasagjerëve dhe kryesisht pjesën e liqenit të Shkodrës. Komisioni shqyrtoi edhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për bashkëpunimin e zbatimit të ligjit, mbi vendosjen e oficerit ndërlidhës të Europol-it. Të dyja projektligjet u miratuan në parim dhe në tërësi.
Burimi: ATA
KOHA JONË SONDAZH

