Verifikimi i banesave, Voda: 22 grupe me ekspertë shqiptarë dhe të huaj

Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda tha në një prononcim sot për ATSH së në Durrës ka filluar pastrimi i vendeve nga inertet aty ku ndërtesat janë shkatërruar tërësisht dhe shembja e godinave që përbëjnë rrezik për vetë banorët por edhe për qytetarët rreth tyre. Sipas saj, ky është një process dinamik sfidat janë të përditshme, pasi një ditë nuk i ngjan një dite tjetër për shkak të këtij procesi të madh ku janë angazhuar të gjitha strukturat e shtetit.

”Sfida më e madhe ka qenë ajo e akomodimit, por një nga porositë e lëna që në mbledhjet e para të qeveria dhe nga Kryeministri Rama ka qenë akomodimi i banorëve në hotele që tu mundësojmë edhe një lloj standardi edhe për shkak edhe të kushteve atmosferike. Në strukturat hoteliere në Durrës kemi 2 mijë banorë të akomoduar në 7 struktura hoteliere të cilat janë verifikuar para se banorët të strehoheshin aty dhe ofrimi i asistencës shëndetësore. Jo vetëm qendra shëndetësore 24 orë në 24 por edhe ekipe mjekësore të specializuara për të sëmurët me sëmundje kronike, për ata qenë kanë nevojë për mbështetje psikologjike, por edhe përsa i përket fëmijëve. Në hotelet ku ata rrijnë jemi munduar të krijohen ambiente rekreacioni në mënyrë që fëmijët të kalojnë post-traumën e tërmetit por edhe të përgatiten për të filluar shkollën”.

Sa i përket inspektimit në shkolla, Voda tha se ka përfunduar inspektimi në shkollat publike dhe po vazhdohet me shkollat private, kopshtet çerdhet. Për ato që nuk do të hapen, Voda tha se do të ketë një plan të posaçëm nga Ministria e Arsimit që nxënësit të akomodohen në shkolla të tjera. Durrësi është një qytet që po vazhdon të marri jetë, rrugët e qytetit janë mbushur, grupet e verifikimit në terren janë shtuar dhe kërkesat e njerëzve tashmë nuk vijnë më shumë për akomodim se për verifikimin e banesave të tyre. ”Ditën e djeshme kemi pasur në terren 22 grupe vetëm për bashkinë Durrës nga të cilët 70 ekspertë vendas dhe 30 ekspertë ndërkombëtarë, 6 grupe me ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë në Bashkinë Krujë dhe 6 në Bashkinë Shijak”.

SHKARKO APP