Vetëflijimi i nënë e bijë në Tiranë. Ish-myftiu: Ngjarja një makabritet, nuk ka lidhje as me krishtërimin, as islamin
Ish-Myftiu i Tiranës Ylli Gurrai ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se ngjarja e rëndë në Kombinat të Tiranës, ku nëna dhe vajza e saj humbën jetën ndërsa vajza tjetër është në gjendje të rëndë në spital, nuk ka asnjë lidhje me krishtërimin e as me islamin.
Gurra tha se asnjë fe nuk e predikon ringjalljen.
“Kjo ishte një ngjarje e kobshme për pjesën qytetare dhe fetare në Shqipëri. As në krishtërim dhe as në islam nuk ka asnjë shkronjë, e cila nxit ose që t’ju kërkojë besimtarëve që të vetëflijohen. Përkundrazi, religjioni është kthjellësi dhe zgjedhje e lirë në raport me Zotin tënd, Zotin e gjithësisë. Të gjitha fetë predikojnë se parajsën ta bëjmë këtu dhe kudo. Është makabritet edhe fakti që ka mbajtur disa muaj në banesë. Është thjesht ngjarje e rëndë dhe pa lidhje me fenë. As Bibla dhe as Kurani nuk predikojnë vetëflijimin”, tha Gurra.
Ylli Gurra theksoi se devijimi i Kuranit dhe Biblës dërgon në ide të rrezikshme.
“Kurani dhe Bibla flasin për vdekjen. Vdekja është e pashmangshme, kjo gjë dihet. Vija ndarëse është se jeta prevalon mbi vdekjen. Janë sekte që mundet te proklamojnë edhe maskallëqe. Nuk dua të komentoj komunitetin që akuzohet, por ata kanë vetëm 100 vjet. Devijimi i Kuranit dhe Biblës janë të rrezikshme, që dërgon në udhën drejt ekstremit. Sektet qoftë brenda islamit, qoftë brenda krishtërimit nuk kanë jetë të gjatë. Sektet fetare cojnë në keq-interpretime të librave të shenjtë. Fetë tradicionale dhe librat e shenjtë Bibla e Kurani kurrë nuk flasin për vetëflijim. Akoma më e rëndë është se trupi i mumifikuar është mbajtur për disa muaj. Sekti duhet parë nëse e ka bazën tek librat e shenjtë apo janë të kota, në ide të tyre”, u shpreh Gurra.
Më tej, Gurra vlerëson se nuk thuhet në asnjë libër të shenjtë se njeriu duhet të vetëflijohet.
“Janë raste sporadike, por në një globalizëm të tillë ku jetojmë, mund të ketë ndikime të jashtme. Unë gjykoj që institucionet fetare duhet të jenë të fuqishme, që mos të dilet nga ndikimet fetare tradicionale. Interneti mund të manipulojë më kollaj. Institucionet fetare duhet të bashkëpunojnë me shtetin. Nuk e ka askund të shkruar se duhet të vetëfljohemi, asnjë libër i shenjtë. Ringjallja është vetëm diku dhe aty thuhet se është ekskluzivitet i Jezuit, aspak dhe askund i njerëzve”, përmbylli Gurra.