Vetëflijimi i pacientëve me Covid-19, deputetja e PS-së ”kundër” Ramës
Deputetja e PS-së, njëkohësisht edhe mjeke, Klodiana Spahiu, lidhur me vetëflijimin e pacientëve të prekur nga Covid-19, në vendin tonë, thotë se janë ndryshime të rëndësishme që ndodhin në tru dhe shkaktojnë veprime vdekjeprurëse, duke parë situatën ku ndodhet pacienti.
”Do të kisha dëshirë që në këtë rast që e kam menduar gjatë të flas si mjeke dhe paciente, jo si politikane. Si mjeke kjo situatë që kalon pacienti në këto kushte, përballja me pacientë të tillë është stresuese, vuajtje shpirtërore dhe mendore shumë e thellë. Për pacientin është vuajtje shumë e madhe, unë kam kaluar vështirësi vetëm të qenit vetëm në një javë është e dhimbshme, janë ndryshime të rëndësishme që ndodhin në tru, që shkaktojnë veprime vdekjeprurëse. Personat që janë të dobët e marrin këtë vendim shumë shpejt”,-thotë Spahiu për ”A2cnn”.
Përkundër deklaratës së kryeministrit Edi Rama, kur tha se vetëflijimi shkaktohet nga virusi, Spahiu nuk dha një përgjigje të saktë nëse vetëvrasja shkaktohet nga virusi apo është i akumuluar, por shtoi se shkenca do të ketë studime të mëvonshme për pasojat që Covid-19 lë në tru.
”A janë ndryshime që shkakton virusi, apo të akumuluara këtë nuk di ta them, por këto do t’i vërtetojë shkenca. Do të jenë studime të mëvonshme, nëse ky virus ka shkaktuar pasoja të dëmshme në tru dhe nëse lë apo jo pasoja”,-shtoi më tej deputetja.