Vetëflijimi i pacientëve me Covid-19, psikologia jep mesazhin e rëndësishëm
Psikologia klinike, Aulona Ormeni thotë se vetëvrasjet në spitalin Covid 2 i atribuohet ngarkimit psikologjik nën kushtet e rënduara nga sëmundja e Covid-19. Psikologia nënvizon se aktualisht nuk ka të dhëna domethënëse që të mund ta tregojnë qartë ndikimin direkt të sëmundjes me prirjen për vetëvrasje.
E pyetur se cilat janë zgjidhjet, apo masat që mund të parandalojnë rastet e ngjashme, psikologia këshilloi shqyrtimin “rast pas rasti” të pacientëve nga një staf shtesë me psikologë dhe ekspertë të fushës.
“Parashikimi i këtyre rasteve është i vështirë, pasi edhe të dhënat dhe studimet e deri tanishme nuk janë të mjaftueshme për të treguar nëse këta persona e kryejnë vetëvrasjen, apo përpiqen ta bëjnë atë, si rrjedhojë e Covid-19 apo prirja ka qenë aty e mbartur edhe më herët, ose ajo është e momentit nga mënyra se si trajtohet sëmundja.
E di që në kushtet ku jemi, rastet po shtohen çdo ditë dhe mjekët kanë ngarkesë të lartë, por këtë punë nuk u takon ta bëjnë ata dhe jam e sigurt se psikologët u janë shtuar spitaleve kanë një fluks të madh për të bërë vlerësimet dhe fakti se, siç e thanë mjekët [te Spitali Shefqet Ndroqi] se nuk kishin simptoma për ndryshime psikologjike të pacientit, është ngaqë vetëvrasja është e vështirë, e heshtur dhe në kulturë të ngurtë si e jona ka shumë stigma për të, ndaj ajo nuk flitet deri në fazën finale”,-u shpreh psikologia për ”Euronews”.