Vetëflijimi i pacientëve me Covid-19, psikologia: S’ka të dhëna bindëse

Psikologia klinike, Aulona Ormeni thotë se vetëvrasjet në spitalin Covid 2 (Shefqet Ndroqi) i atribuohet ngarkimit psikologjik nën kushtet e rënduara nga sëmundja e Covid-19. Psikologia nënvizon se aktualisht nuk ka të dhëna domethënëse që të mund ta tregojnë qartë ndikimin direkt të sëmundjes me prirjen për vetëvrasje.

”Parashikimi i këtyre rasteve është i vështirë, pasi edhe të dhënat dhe studimet e deri tanishme nuk janë të mjaftueshme për të treguar nëse këta persona e kryejnë vetëvrasjen, apo përpiqen ta bëjnë atë, si rrjedhojë e Covid-19 apo prirja ka qenë aty e mbartur edhe më herët, ose ajo është e momentit nga mënyra se si trajtohet sëmundja”,- thotë ajo.

E pyetur se cilat janë zgjidhjet, apo masat që mund të parandalojnë rastet e ngjashme, psikologia këshilloi shqyrtimin “rast pas rasti” të pacientëve nga një staf shtesë me psikologë dhe ekspertë të fushës.

“E di që në kushtet ku jemi, rastet po shtohen çdo ditë dhe mjekët kanë ngarkesë të lartë, por këtë punë nuk u takon ta bëjnë ata dhe jam e sigurt se psikologët u janë shtuar spitaleve kanë një fluks të madh për të bërë vlerësimet dhe fakti se, siç e thanë mjekët [te Spitali Shefqet Ndroqi] se nuk kishin simptoma për ndryshime psikologjike të pacientit, është ngaqë vetëvrasja është e vështirë, e heshtur dhe në kulturë të ngurtë si e jona ka shumë stigma për të, ndaj ajo nuk flitet deri në fazën finale”,-u shpreh psikologia për ”Euronews”.

SHKARKO APP