Vetëfljimi i familjes Josifi, Prokuroria nxjerr detaje nga kontrolli i telefonave

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar kontrollin e telefonave të Anisa dhe Zhaneta Josifit, që u vetëflijuan në banesën e tyre në zonën e Kombinatit. Motrat dhe nëna, nuk kanë patur komunikim me sms apo whatsapp me persona të tjerë. Ky është konkluzioni që kanë arritur ekspertet teknikë, që kanë bërë kqyrjen teknike të aparateve telefonike të dy vajzave, Blertës dhe Anisës, si dhe nënës së tyre Zhanetës.

Ekspertët kanë rikuperuar mesazhet e fshira, por nuk kanë konstatuar komunikime të kësaj natyre, për nxitje në vetëvrasje. Paçka këtij rezultati, organi i akuzës është ende në pritje të përgjigjeve nga kompanitë telefonike për të parë komunikimet me anë të thirrjeve telefonike, e për të kuptuar se më cilët persona kanë pasur komunikimet e fundit dy viktimat apo e mbijetuara. Grupit hetimor i është dorëzuar ekspertiza mjeko-ligjore e trupit të dy viktimave. Ekspertët kanë përcaktuar si shkak të vdekjes të Zhaneta dhe Anisa Josifit mosushqyerjen, dhe të njëjtin fat do të kishte edhe e mbijetuara Blerta nëse nuk do të ishte ndërhyrë.

Tragjedia e 2 korrikut tronditi opinionin publik. Nënë e bijë, Zhaneta dhe Anisa Josifi u gjetën të vdekura në shtëpi, e ndërsa Blerta në gjendje të rënduar. Në dëshminë e kësaj të fundit, Anisa kishte vdekur më 27 prill 2019. Ato para 15 vitesh kishin qenë pjesë e Kishës Ungjillore, por prej 6 vitesh nuk shkonin më dhe ritet fetare i kryenin në shtëpi. Në reagimin e Kishës Ungjillore, ato theksonin se çdo fe beson në ringjallje, por kurrsesi nuk predikojnë vetëvrasjen. Për pastorët e Kishën Ungjillore Fitor Muça dhe Akil Pano, pas tyre fshihen sekte satanike.

E mbijetuara e vetme e familjes Josifi, Blerta ka dalë nga spitali. 34-vjeçarja ka rrëfyer se motra e saj kishte qëndruar 52 ditë pa ngrënë dhe pa pirë, duke ndërruar më pas jetë. Kurse nëna ndërroi jetë në datën 2 korrik 2020, edhe ajo duke agjëruar. Ajo tha se nëna e saj kishte rënë përtokë në gjunjë dhe kishte ndërruar jetë.

Në dëshminë e të resë del në pah dhe një tjetër detaj tragjik, ku ajo thekson se motra e saj para se të ndërronte jetë “ishte pushtuar nga djalli”, dhe se për këtë shkak kishte pasur kriza nervore, por që asnjëherë nuk kishte shkuar në spital, por për të kujdesej vetë nëna dhe Blerta. Ajo ka mohuar faktin se pas kësaj ngjarje, duke çuar në nxitje për t’u vetëflijuar, nuk fshihet Kisha Ungjillore, pasi sipas saj kishin 5 vite që ishin shkëputur dhe se kishin vazhduar vetë rrugëtimin me Zotin.

Prova që duhet të ishte marrë seriozisht, nëse shteti shqiptar ka ndërmend të hetojë seriozisht nëse ka apo jo sekte që influencojnë në mendjen e qytetarëve dhe i deformojnë derisa shkojnë tek thrilleri. Qytetaret që e njihnin familjes, shprehen se  ”Zhani shpërndante fletushka deri në fund të 2018, pranë Unazës së Re”. Policia dhe prokuroria e Tiranës, nuk kanë asnjë person apo sekt fetar të dyshuar, se mund të ketë ndikuar në vendimin ekstrem të vetëflijimit të familjes Josifi.

SHKARKO APP