Vetëm në 1 javë, mbi 60 mijë rrënjë kanabis të asgjësuara

Mbi 60 mijë rrënjë kanabis u asgjesuan nga policia gjatë kësaj jave, në operacionin antikanabis që nisi në Dukagjin. 35 mijë rrënjë u gjetën në më shumë se 240 parcela të mbjella në këtë zonë.

Por harta e kultivimit të bimës narkotike është disa herë më e gjërë. Burime zyrtare të policisë bëjnë me dije se jane evidentuar parcela edhe në Krujë, Kavajë, Bulqizë, Vlore, Tepelenë, Përmet e Tiranë.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë asgjesuar mbi 11 mijë rrënjë kanabis, si dhe janë arrestuar 2 persona për kultivim të kanabisit në Shkodër, Ndrek Leka e Gjovalin Mali. Ata janë dy personat e parë që vihen në pranga gjatë aksionit në veri.

Policia ka shkatërruar disa parcela me kanabis edhe në Kavajë. Kryepleqtë e fshatrave Zambishtë e Çeke do të ndiqen në gjendje të lirë për mos kallzim krimi e shpërdorim detyre. Në këto fshatra policia asgjesoi mbi 7 mijë bimë narkotike dhe sekuestroi 100 kg Mariuanë.

Burime të policisë bëjnë me dije se operacioni do të vijojë në rrethet e tjera ku ka të dhëna për parcela me kanabis. Policia e ka ndërmarrë këtë aksion pak ditë përpara se bima narkotike të bëhej gati për t’u vjelë.

SHKARKO APP