Vetting-u i politikanëve, ja çfarë propozon PD-ja
Partia Demokratike përmes Vetting-ut në politikë, kërkon që të “përjashtohen nga e drejta për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”.
Si do të realizohet vetingu i politikanëve, sipas propozimit të PD? Në dokumentin që do të dërgohet të mërkurën në Parlament, PD propozon që kontrolli i integritetit është i përkohshëm dhe i përhershëm. “Kontrolli i përkohshëm kryhet për funksionarët publikë që janë në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe duhet të përfundojë brenda 3 viteve. Kontrolli i përhershëm kryhet brenda një viti nga fillimi i ushtrimit të funksionit”, thuhet në propozimin e PD.
Subjektet e kontrollit të integritetit janë deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri dhe ministrat, Presidenti i Republikës, kryetari i bashkisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokati i Popullit dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit. Ajo që bie në sy është fakti se në amendamentet kushtetuese PD thotë se duhet të jenë funksionarët publikë, të dyshuar si të papërshtatshëm, që duhet të provojnë pafajësinë e tyre.
“Nëse funksionari publik ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën”, thuhet në propozimin e PD.
I gjithë ky proces duhet të realizohet përmes përfshirjes së SPAK, Gjykatës së Posaçme dhe fjalën e fundit ta thotë Gjykata Kushtetuese. Për të garantuar transparencën e procesit si dhe interesin e publikut gjatë procesit të kontrollit të integritetit, PD propozon që pranë Kuvendit të Shqipërisë të ngrihet Komisioni i Posaçëm Parlamentar i garantimit të integritetit të funksionarëve të lartë shtetërorë, i përbërë nga 6 deputetë, 3 nga shumica parlamentare dhe 3 nga pakica parlamentare.