Vetting-u në polici, Hodaj: Kush ikën s’kthehet më
Të gjithë oficerët e Policisë së Shtetit që do të largohen në sajë të Vetting-ut, nuk kanë asnjë mundësi për t’u rikthyer sërish brenda radhëve të uniformave blu. Në një intervistë për Report Tv, zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj shprehet se ky fakt parashikohet në ligjin për policinë, ndërkohë që 45 personat e parë që do t’i nënshtrohen procesit të Vetting-ut, pritet të nisin në fillim të muajit gusht.
Ndryshe nga procesi i rivlerësimit në gjyqësor, Hodaj shpjegon se nëse një oficer ka integritet dhe justifikon pasurinë por nuk ka profesionalizmin e duhur, atëherë nuk do të shkarkohet, por do të marrë trajnimin e duhur në Akademinë e Sigurisë. Zv.ministri shton më tej se për 245 oficerët që kanë gradat më të larta, procesi i Vetting-ut parashikohet të përfundojë deri në qershor të 2020-ës.
Procesit të Vetting-ut, për të tre komponentët, integritetin, pasurinë dhe profesionalizmin do t’i nënshtrohen rreth 11 mijë efektivë policie. I pari që do të dalë para komisionit është Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, e më pas vartësit e tij, si dhe punonjës së Gardës së Republikës e të Shërbimit për Çështjet e Brendshme e Ankesave.
KOHA JONË SONDAZH

