Vëzhgues në konkursin për infermierët, aplikimi brenda 18 dhjetorit
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ftoi sot të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të përfitojnë statusin e vëzhguesit për thirrjen e 3-të të shpallur në portalin infermierëpërshqipërinë.al të depozitojnë kërkesën e tyre.
Në një njoftim për shtyp MSHMS bën të ditur se “të gjithë përfaqësuesit e grupeve të interesit, shoqatave, partnerëve të interesuar që ndjekin ecurinë e Platformës Infermierë për Shqipërinë, në kuadër të Programit të Transparencës të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe konkursit të tretë të shpallur, ftohen të depozitojnë kërkesën e tyre për të pasur statusin e vëzhguesit të procesit gjatë: depozitimit të dokumentacionit të aplikantëve, testimit me shkrim, vlerësimit të kandidatëve dhe shpalljes së listës fituese”.
Ministria shprehet se për të përfituar statusin e vëzhguesit të interesuarit duhet të dorëzojnë jetëshkrimin, motivacionin dhe letrën mbështetëse nga struktura jo qeveritare që përfaqësojnë brenda datës 18 dhjetor 2018. Nga ky proces do të vlerësohet një ekip me 3 vëzhgues.

KOHA JONË SONDAZH

