Vëzhguesit Vendorë: Të tërhiqen amendamentet për importin e mbetjeve
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, në ndjekje të ecurisë për miratimin e amendimeve të Ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, ka dalë me qëndrimin e tërheqjes së tyre duke e konsideruar këtë si një detyrim moral dhe politik të mazhorancës qeverisëse.
“Nisur nga fakti se konsultimi, informimi dhe diskutimi i gjerë publik, janë pjesë e të ashtuquajturit “standard të gjithë-përfshirjes”, Koalicioni vë në dukje se ky standard, i vështirë për t’u zbatuar prej klasës politike, u arrit të imponohej prej qytetarëve shqiptarëpërgjatë periudhës 2011-2013.
Kundërvënia qytetare për një pjesë të ligjit mbi importimin e mbetjeve u bë shkaktare për një nismë popullore për mbajtjen e një referendumi kombëtar për shfuqizimin e neneve që lejonin importin e mbetjeve.
Kjo kërkesë, e vetmja që prej vitit 1998, arriti të merrte miratimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të Gjykatës Kushtetuese dhe në fund edhe dekretimin e datës së mbajtjes së referendumit prej Presidentit të Republikës”, sjell në vëmendje kjo organizatë.
Duke shtuar se përfshirja e Ministrisë së Mjedisit dhe e tre deputevë socialistë në hartimin e draftit, mënyra e ndjekur për t’a përfshirë në rendin e ditës të seancës parlamentare të datës 21.07.2016 dhe ecuria e mëpasme janë një provë më shumë për një vullnet politik për ta miratuar atë.
“Për sa më sipër, Koalicioni i bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe veçanërisht mazhorancës qeverisëse që, për ruajtjen e moralit politik e elektoral ndaj qytetarëve votues, si edhe për specifikën subjektive të angazhimeve të mëherëshme të ndërmarra nga qeveria, të kërkojnë heqjen nga rendi i ditës të këtij amendimi në seancën e së enjtes, si dhe të kërkojnë domosdoshmërisht kryerjen paraprakisht, së paku, të një fushate informimi e konsultimi të gjerë në të gjithë vendin dhe njëkohësisht të shtrirë në kohë, në raport edhe me kohëzgjatjen e fushatës referendare të zhvilluar tre vjet më parë.
Nga ana tjetër, për shkak të specifikës objektive që mbart ligji në vetvete për një çështje madhore që ka të bëjë me të ardhmen e sigurisë mjedisore të vendit dhe brezave që vijnë, bëhet mëse i domosdoshëm një diskutim i gjerë në nivel ekspertize duke përfshirë gjerësisht grupet e ekspertëve, qarqet akademike, institucionet shtetërore dhe aktorët e tjerë të interesuar.
Për më tepër, stadi i ri institucional dhe i funksionalitetit të demokracisë shqiptare, pas pranimit politikisht dhe pas materializimit në legjislacionin shqiptar të “standardit të gjithëpërfshirjes”, do të kërkonte në mënyrë të natyrshme që një çështje e tille t’i shtrohej për miratim votuesit shqiptar nëpërmjet referendumit”, citon KVV.
KOHA JONË SONDAZH

