VIDEO/ Basha: Do sjellim në krye ajkën e kombit. Para drejtësisë të gjithë kriminelët në pushtet
Kryetari i PD Lulzim Basha ka biseduar live me qytetarët në “Facebook”, ku u përgjigj për problematika të ndryshme që shqetësojnë qytetarët.
Basha u shpreh se Partia Demokratike ka një plan të qartë qeverisje, duke thënë se madje disponon burimet njerëzore më të mira, për të sjellë në krye ajkën e kombit.
“Ne kemi planin për të sjellë në krye ajkën e kombit. Ne kemi një qeveri, që janë aty për të kërcënuar qytetarët, për të marrë para. Reforma jonë në administratë është europiane. Do të hetojmë të gjitha koncesionet që ka dhënë kjo qeveri. ne do të bëjmë të mundur që çdokush që ka futur duart te xhepat e shqiptarëve, ata para do të kthehen. Ne do të ndihmojmë shtresat më në nevojë. Chek Up është një nga aferat më të mëdha korruptive të kësaj qeverie. Do të anulojmë koncesionet e Chek Up”, tha Basha.
Duke folur për Unazën e Re, Basha deklaroi se të gjithë abuzuesit, pushtetarët në pushtet dhe administratorët e kompanive duhet që të përgjigjen përpara drejtësisë për korrupsion.
“Padrejtësia e Unazës së Re është shembulli më i mirë për atë që ndodh në Shqipëri. Krimineli, hajduti, servili ecën përpara. Kjo po shkatërron Shqipërinë. Talenti merret për gjë e keqe, kurse krimineli, trafikanti ecën përpara. Nga kutia e votimit këta e kanë kthyer që hipokriti del kryeministër, trafikanti del deputet, krimineli del zyrtar i lartë. Ky palo-shtet doli lakuriq edhe në rastin e tërmetit, që nuk kishin as kushtet minimale për të bërë punën sic duhet. Banorët e Unazës duhet të dëmshpërblehen një më një dhe duhet të cohën para drejtësisë të gjithë zyrtarët e lartë, përfshirë, ministra, kryeministra etj. Edi Rama është anti-KCK”, u shpreh Basha.
Lulzim Basha vlerësoi se kolapsi në shëndetësi është total dhe kriminal dhe shtoi se vjedhja më e madhe bëhet në koncesione.
“Kolapsi në shëndetësi është total dhe kriminal. Vjedhja më e madhe bëhet në koncesione. Aferat më të tmerrshme bëhen me ato që quhen koncesione në shëndetësi. Cdo koncesion në shëndetësi është thellësisht korruptiv. Do të na duhet një reformë të thellë në shëndetësi, që të rregullojmë të gjithë sistemin. Shumë shpejt platforma jonë për shëndetësinë do të jetë gati. Edhe fermeri sot është në kushte të rënda. Bujqësia kërkon mbështetje shtetërore. Ne kemi si pikë mbështetje ndaj fermerëve. Shëndetësia falas ishte mashtrimi më i madh i Edi Ramës. Mafia e shëndetësisë po bën kërdinë”, deklaroi Basha.
Për Bashën, ushtarakët janë sot në ditën e tyre më të zezë, edhe pse janë në NATO, pasi trajtohen si çdo punonjës i administratës, me përbuzje.
“Mendoj se ushtarakët janë në ditën e tyre më të zezë. Ne hymë në NATO, sepse thamë se do të mbështesim fuqinë e madhe ushtarake botërore. Sot ushtarakët po trajtohen pa pikë dinjiteti, me arrogancë, me përbuzje dhe keq-përdoren. Për ushtarakët do të ketë një vëmendje të plotë”, shtoi Basha.