VIDEO/ Bëri drift në Bulevard dhe e publikoi në TikTok, gjobitet i riu në Elbasan

Një 21-vjeçar është gjobitur dhe ka nisur hetimi ndaj tij, pasi është filmuar duke bërë drift në bulevardin “Aqif Pasha” në Elbasan. Mësohet se bëhet fjalë për M. C., 21 vjeç, banues në Elbasan. Uniformat blu ranë në gjurmët e tij për shkak se video ishte publikuar në rrjetin social “Tik Tok”. Mësohet se 21-vjeçari është gjobitur 40 000 lekë dhe i është sekuestruar makina.

“Bëri drift me automjet, në qendër të banuar, ndëshkohet me masë administrative 40 000 lekë dhe procedohet penalisht për prishje të qetësisë publike, 21-vjeçari. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në lidhje me një video të publikuar në portalin “Tik-Tok”, në të cilën shfaqet një automjet duke kryer manovër të rrezikshme (drift), në bulevardin “Aqif Pasha”, sqarojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kanë kryer veprimet për identifikimin e drejtuesit të automjetit.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi M. C., 21 vjeç, banues në Elbasan, është shoqëruar në Komisariat, bashkë me automjetin e tij. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë ndaj shtetasit M. C., 21 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Gjithashtu, nga specialistët e Policisë Rrugore iu vendos masa administrative 40 000 lekë, bazuar në nenin 139 të Kodit Rrugor. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit”, njofton Policia.

SHKARKO APP