VIDEO/ Berisha takim virtual me shqiptarët në Greqi: Vota juaj ka rëndësi përcaktuese për Shqipërinë

Në takimin online me shqiptarët në Greqi, Sali Berisha e nisi fjalimin përshëndetës me urime të përzemërta për Ditën e Pavarësisë dhe Flamurit, duke shprehur mirënjohje për pjesëmarrësit dhe organizatorët. Berisha e vendosi theksin e tij mbi shqetësimin për situatën aktuale në Shqipëri, e cila përshkruhet si një diktaturë e re. Kreu i PD-së, gjithashtu vlerësoi emigrantët shqiptarë në Greqi për kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, duke i konsideruar një urë të fortë mes dy popujve.

”Me Greqinë ne jemi dy vende fqinj në shekuj, në mijëvjeçarë dy popuj fqinj. PD është e vendosur për marrëdhënie të konsoliduara të fqinjësisë dhe miqësisë së mirë me vendin ku ju jetoni. Së pari, qeveria e PD arriti të firmosë marrëveshjen e detit me Greqinë dhe unë u them ju se ajo marrëveshje ishte, siç quhet, fitim-fitim, pra fitonte secila palë. Ajo ishte një marrëveshje e ndershme, transparente, të cilën Edi Rama e paditi në gjykatë, dhe pasi e rrëzoi në gjykatë për interesa joshqiptare, u soll në mënyrën më të papërgjegjshme me autoritetet greke.

Pasi negociuan katër vite me radhë, një ditë të bukur dalin e u thonë, tani nuk na lë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kush humbi në këtë mes? Humbi Shqipëria”, tha Berisha. Pse humbi Shqipëria? Sepse mungesa e plotë e seriozitetit të qeverisë së Tiranës, bëri që qeveria greke, e cila kishte qëndruar për dekada në hapësirën 6 milje të ujërave territoriale, në përputhje me traktatin ndërkombëtar, kaloi në 12 milje. Dhe këtu Greqia nuk shkeli asnjë traktat, përkundrazi Greqia shfrytëzoi atë të drejtë ndërkombëtare që i jep traktati i detit”, shtoi Berisha.

Për më tepër, Berisha u bëri apel për të marrë pjesë në zgjedhje. ”Ju garantoj se PD, nesër në qeveri me koalicionin e saj, do të krijojë kuadrin ligjor më të favorshëm, më miqësor për rikthimin e emigrantëve shqiptarëve, investimet e tyre”.

SHKARKO APP