Video/ Berisha zbulon emrat e ministrave të përgjuar: Lleshaj nuk duhej dekretuar
Ish-kryeministri Sali Berisha ka zbuluar emrat e ministrave për të cilët opozita disponon tashmë dosje audio përgjimesh. Në një rrëfim prej 110 minutash lideri historik i Partisë Demokratike shprehet se opozita ka një plan të ngjashëm me atë që ndodhi në shtetin fqinj kur opinioni publik maqedonas u bombardua me përgjime që u ishin bërë zyrtarëve më të lartë të shtetit dhe të afërmve të tyre nga shërbimet e vendeve të mëdha. Tek “5 Pyetjet nga Babaramo”, ish-kryeministri i vendit është përgjigjur gjithë dilemave politike të kohëve të fundit.
Lidhur me incidentin e Bularatit, Berisha është shprehur se është produkt i shërbimit të fshehtë grek dhe në këtë rrethanë qeveria shqiptare duhet të ndalojë festimin e 28 tetorit në territorin shqiptar.
Berisha tha se strategjia që po ndjek opozita është të demaskojë qeverinë, ndërsa nuk dha shpjegime se kur do bëhen publike faktet që disponon opozita.
“Opozita ka fakte dhe argumente. Rritja e besueshmërisë së opozitës, ka bërë që ajo të disponojë një arkiv të pasur të organizatës kriminale të Rilindjes. Lidhje të ministrave të Ramës me krimin, lidhje me botën e trafikut të Olsi Ramës. Vëllai i Ramës, ka të dhëna objektive, që të paktën 6 herë ka kaluar kufirin me makinën e drogës së grupit Xibraka. Opozita ndjek një strategji në demaskimin e kësaj organizate kriminale. Nuk kam dijeni kur do bëhen publike. Opozita ka dhënë kontribut të madh. N.q.s Tahiri është ai që është sot, është opozita ajo që vite para damkosjes nga drejtësia e damkosi si kryetar të bandës së Habilajve. Por ende nuk ka arritur të shkulë kreun e Meduzës, kallam dështakun Edi Rama. Nuk shoh asnjë kusht për zgjedhje. Nëse ju do njiheni me dosjen 139 ju do kuptoni se zgjedhje nuk ka. Opozita disponon kohët e fundit, 2-3 javët e fundit, është pasuruar me dokumente, por ajo dosje është famoze. Por nuk është e vetmja. Nuk ka “dil merr një ton kokainë”, por ka vrasjen e procesit të lirë zgjedhor. Këtë ajo dosje fakton sesi Rama vrau votën e shqiptarëve.
Dosja 339 fakton lidhjet e ngushta të Gjushit me Avdylajt. Lidhjet e 2 ministrave me Avdylajt. Fakton lidhjen e Ardian Çelës së OSHEE-së me Avdylajt. Fakton sesi miliona u hodhën në zgjedhje. Ai është favoriti kryesor i familjes Rama. Është njeri i çmuar për ta. Fakton se familja Ndoka, më i dashuri i Ramës, ka marrë të gjithë tokat në bregdet nga Shëngjini në Velipojë. Fakton se ministrat dhe eksponentë të lartë si Ditëzi Bushati janë ngushtësisht të lidhur me bandat e Shkodrës, me Safet Rustemin dhe Pëllumb Gjokën. Ditmiri më shumë flet me Pëllumbin sesa me Ruçin”- tha Berisha.
Kjo intervistë ka në fokus edhe çështjet aktuale të vendit, siç është dekretimi i gjeneralit Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm apo edhe largimi i Fatmir Xhafajt nga ky post i rëndësishëm. Sipas tij, Lleshaj nuk duhej dekretuar nga Presidenti, pasi siç tha ai, Lleshaj eshte delikuent ne raport me Kushtetuten.
Berisha thotë se Rama tentoi të marrë edhe kompetencat e Presidentit. Ish-kryeministri i referohet deklaratës së Ramës ku i sugjeronte Metës dekretimin e njëkohshëm si të lirimit si ushtarak edhe të dekretit si ministër. Sipas tij, dekreti i Lleshit nga Meta u bë në kushte in-extremis, ndërsa shton se ministri i ri i Brendshëm do qëndrojë në këtë detyrë në shkelje me Kushtetutën.
“Formalisht, pas plotësimit të kushteve kushtetuese, ai duhej dekretuar. Moralisht, ai ishte tërësisht letër e djegur. Sandër Lleshi, në thyerje të nenit 186 të Kushtetutës, ka marrë përsipër detyra të tjera, çka kushtetuta ia ndalon ushtarakut aktiv, jo në rezervë. Së dyti, Sandër Lleshi ka bërë hapin e dytë madhor në shkelje të kushtetutës, ka paditur presidentin e Republikës për dekretimin e tij, në një kohë kur kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, vendimet e të cilave janë normë kushtetuese për vendin, kanë vendosur në vitin 2002 se nuk mund të trajtohen në gjykatë, dekretet e presidentit. Mafiozët e kryeministrit, e kanë bindur gjeneralin që të paditë presidentin dhe të gjejë 2-3 gjyqtarë që t’i japin të drejta që nuk i takojnë. Ai dërgoi propozimin e Ramës për heqjen e spaletave, por faktikisht u emërua ministër në rrafshin moral si një kufomë e pakallur. Ky është vlerësimi im. Formalisht u respektua kushtetuta. Presidenti veproi në kushte in-extremis, por veproi në kushte kur e vendosën në kushte më in-extremis. I kërkuan të dekretojë një ministër në dhunim të Kushtetutës. Presidenti nuk mund të kthejë ministra, por është i obliguar të respektojë kushtetutën. U tregua luajal me germën e kushtetutës, e dekretoi, në rrafshin moral, ai s’meritonte të dekretohej. Ishte një delikuent në raport me kushtetutën, kishte mbajtur funksione të tjera, që neni 186 i Kushtetutës e pengonte. Paditi presidentin për interesa personale”- u shpreh Berisha.

Sipas ish-shefit të qeverisë, opozita nuk priste që Edi Rama të tërhiqej nga propozimi, pasi siç shton Berisha, ministri i ri i Brendshëm identifikohet me maxhorancën. Sandër Lleshaj, theksoi Berisha, mban përgjegjësi për kanabizimin e vendit, pasi ka qenë për një kohë të gjatë këshilltar i Ramës.
“Jo, sepse për opozitën, si Sandër Lleshi, apo të gjithë, një çorbë janë. Ata nuk kanë ndryshim njëri nga tjetri. Janë narko-mazhorancë. Nuk di të ketë lidhje me kanabisin, por është këshilltari i autorit që e ktheu vendin në kanabistan. Ka për detyrë që çdo tre muaj të mbledhë të dhëna. E rikujtoj disa herë mbledhjen e Komitetit të Sigurisë, gjatë qeverisë së mëparshme. Ky ka rol të kërkesave tek kryeministri. Ka përgjegjësi”, tha Berisha.
Në një përballje me të kaluarën, si kreu i dikurshëm i forcës së djathtë politike, Berisha do të argumentojë qëndrimet e tij karshi prokurorisë dhe qeverisë aktuale. Në rrjedhën edhe të një sërë pyetjesh që deri me tani nuk kanë gjetur përgjigje, ish-kryeministri do të vijë me përgjigjet e një opozitari pikërisht në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo”.
Berisha: Xhafaj kërkoi të “kafshonte” ministrat e PS
Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë diskutimeve në ‘5 pyetjet nga Babaramo’ ka thënë se ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj u larguar nga detyra për shkak të dijenive dhe lidhjeve të tij me krimin. Berisha tha se dosja e përgjimeve fakton lidhjet e kryetarit të Bashkisë Durrës Vangjush Dako me Avdylajt.
“U largua për të shpëtuar Gjushin. Dosja 339 fakton lidhjet e ngushta të Gjushit me Avdylajt. Lidhjet e 2 ministrave me Avdylajve. Fakton lidhjen e Ardian Çelës së OSHEE-së me Avdylajt. Fakton sesi miliona u hodhën në zgjedhje. Ai është favoriti kryesor i familjes Rama. Është njeri i çmuar për ta. Fakton se familja Noka, më i dashuri i Ramës, ka marrë të gjithë tokat në bregdet nga Shëngjini në Velipojë. Fakton se ministrat dhe eksponentë të lartë si Ditëzi Bushati janë ngushtësisht të lidhur me bandat e Shkodrës, me Safet Rustemin dhe Pëllumb Gjokën. Ditmiri më shumë flet me Pëllumbin sesa me Ruçin. Këto Xhafaj i dinte, dhe filloi të kafshojë. Ne e sulmonim sepse ishte një lidhje me të vëllain e tij, përdori metoda të sigurimit të Shtetit, si në rastin e Alizotit dhe nxorri të gjitha të palarat e tij, që kishte thënë të gjitha të vërteta. Këto ishin metoda të rrezikshme. Për këto, Xhafaj meriton të dergjet në burg. Dorëheqja e tij, tipike mafioze. Asnjë fjalë, 2-3 kërcënime. Ka ndonjë shqiptar që di pse u largua ministri i tyre i Brendshëm. Iku u shkarkua, apo dha dorëheqjen. Këto janë ndërvarësi në krim”- u shpreh Berisha.
Berisha tha se Xhafaj kërkoi të kafshonte ministrat Gjiknuri, Klosi e Ahmetaj, dhe se mesazhi për largimin e tij ishte i qartë.
“Kërkoi të kafshonte Damian Gjiknurin, Arben Ahmetajn. Këta janë me lidhje shumë të forta me krimin. Ishte Klosi, ishin disa. Dosja 339 mbeti, nuk shkoi aty ku duhej. Këta ishin ushtarë, gjeneral ishte Gjushi, Damian Gjiknuri, Ardian Çela, Blendi Klosi, Arben Ahmetaj. Ajo është dosje e tmerrshme dhe këta janë gjeneralë. Ata u asgjësuan, ku janë prokurorët që përgatitën atë dosje? Janë operacione fasadë. Mos harro se filloi lirimi i të arrestuarve, u liruan deputetët. Çuko zbatonte çdo urdhër të Avdylajve dhe bandave me radhë. Në këtë aspekt, ajo u bë më shumë fasadë. “Ky ju arrestoi vërtetë, por unë e qërrova”, ky ishte mesazhi me largimin e Xhafajt. Narko policia nuk mund ta luftojë krimin. Problemi kryesor janë lidhjet e Ramës me krimin. Në këtë zyrë kam patur një ambasador shumë të rëndësishëm, më tha që do arrestohej Gjushi, i thashë: Ambasador, keni dëgjuar ndonjëherë të arrestohet gjysma e një njeriu? Gjushi është gjysma e Ramës, gjysma tjetër është Ahmetaj. Gjushi është i lidhur me 1 mijë fije me emërime të diktuara nga bandat”- u shpreh deputeti demokrat.
Sa i takon Vettingut në politikë, Berisha tha se Komisioni i Venecias nuk mund ta hedhë poshtë në një kohë u shpreh ”Ok” për Vettingun në drejtësi dhe dekriminalizimin.
“Nuk mund të imagjinoj që Venecia të hedhë poshtë Vettingun, kur ka miratuar Vettingun për gjyqtarët dhe prokurorët, normalisht jo në këtë formë që po bëhet. Vettingu është një thellim i ligjit për dekriminalizimin. është një proces që thellohet. Nëse sheh ligjin e Vettingut është ridimensionim i ligjit për dekriminalizimin, kështu është edhe ligji për Vettingun në politikë”.
Ndiqni intervistën e plotë në Report Tv me gazetarin Ilir Babaramo
https://www.facebook.com/SaliBerisha/videos/266401010736523/
KOHA JONË SONDAZH

