Video editorial i “Koha Jonë”: S’ka kohë për pushim! Çdo ditë vjedhje nga Rilindja

Video editorial i “Koha Jonë”: S’ka kohë për pushim! Çdo ditë vjedhje nga Rilindja

EDITORIAL/ S’ka kohë për pushim! Çdo ditë vjedhje nga Rilindja

Slogani i PS-së në këtë fushatë elektorale është “S’ka kohë për pushim!”. Strategët e komunikimit në PS mendojnë se në këtë mënyrë justifikohet kërkesa për mandatin e tretë dhe jepet ideja se Rilindja ka qindra punë që nuk meritojnë të lihen në mes. Ky imazh, i një qeverie punëtore që rri gjithë ditë pranë njerëzve, përforcohet më tepër dhe me publikimet e shpeshta në rrjetet sociale ku shfaqen kantiere, fabrika, rrugë, ura dhe hekurudha që po ndërtohen. Imazhi i një Shqipërie ku po punohet është krejtësisht i rremë. Shumica e videove që publikon stafi i kryeministrisë janë projekte dhe makete të vjedhur pa kujdes në faqet e internetit. Kështu, projekti i hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas për të cilin do tenderohen rreth 100 milionë euro rezultoi se ishte vjedhur nga metroja e Katarit. Nuk ka problem pse vodhën idenë, çështja është se nuk ka fare projekt dhe kur shteti jep 100 milionë euro pa projekt, ky nuk quhet investim, por mashtrimi i radhës. E njëjta gjë dhe për aeroportet dhe portet e famshme që Edi Rama premton në çdo qytet. Jo vetëm nuk janë bërë garat për kompanitë fituese. Jo vetëm nuk janë nënshkruar kontratat, por ajo që është me e keqja nuk kanë gjetur as kompanitë projektuese që hedhin në letër idetë. Shkurt dhe shqip, projektet janë vetëm në propagandën e PS. Para nuk ka për t’i realizuar dhe vetëm i hidhen popullit si ushqim elektoral trullosës për të treguar një Shqipëri që ekziston vetëm në videot e zyrës së komunikimit të Edi Ramës.

Tashmë që është kohë fushate dhe bëhen bilance, nuk mund të jemi mohues për çdo gjë që ka bërë Rilindje dhe sidomos ato që po bëhen këto muajt e fundit. Rilindasit po punojnë fort dhe realisht nuk pushojnë asnjë moment, por jo për investime por për vjedhje. Gjatë ditëve të fundit u miratua koncesioni i aeroportit të Rinasit. Një afër që asnjë qeveri dhe Kuvend normal nuk mund ta imagjinonte dhe jo të miratonte.  Po këto javë u miratua koncesioni i ri i karburanteve që u jep tre biznesmenëve 100 milionë euro dhe këta për të marrë më shumë leke do rrisin çmimin e karburanteve. Gjatë këtyre muajve Rilindasit po punojnë shumë dhe për dhënien e portit të Durrësi arabëve duke vënë në pikëpyetje pronat dhe gjithë infrastrukturën e qytetit më të rëndësishëm bregdetar. Është një kontratë që ka shqetësuar BE dhe SHBA për shkak të interesave të reja që vendet e arabe mund të sjellin në Rajon, vetëm socialistët bëjnë sikur nuk e kuptojnë gafën që po bëjnë. Seria e abuzimeve vazhdon me fondet për tërmetin, ku rezulton se paratë po përdoren për qoka elektorale dhe korrupsion lokal, por jo për të ndërtuar shtëpitë e banorëve. Ndërkohë lejet e ndërtimit, beton dhe tulla që po i zënë frymën Tiranës dhe bregdetit jepen thuajse çdo javë në mënyra antilogjore dhe pa asnjë oponencë mejdisore dhe teknike. Në institucionin e Prokurimeve Publike ka çdo ditë njoftime për tendera, kontrata dhe koncesione. Po jepen projekte të dyshimta me një ritëm që që kalon mesataren e 20 viteve të fundit. Rilindja thotë se këto janë investime. Në fakt, shumica e tyre janë vjedhje flagrante kosto për taksat e qytetarëve. Ndaj slogani që do t’i shkonte më shumë për shtat qeverisë është: “S’ka kohë për pushim! Çdo ditë vjedhje nga Rilindja”

SHKARKO APP