Video-editoriali i “Koha Jonë”: Mesazhi ndërkombëtar: Miratuat Kodin, por mos dilni nga shinat!

Video-editoriali i “Koha Jonë”: Mesazhi ndërkombëtar: Miratuat Kodin, por mos dilni nga shinat!

Editorial/ Mesazhi ndërkombëtarë: Miratuat Kodin, por mos dilni nga shinat!

Sot Parlamenti miratoi me 97 vota Kodin Zgjedhor ose siç quhet tashmë Marrëveshja e 5 qershorit. Për këtë Marrëveshje është punuar me muaj të tërë nga PS, PD dhe LSI, deri ambasada amerikane i detyroi të firmosnin në Rezidencën e saj, të trija palët.

Tashmë Kodi Zgjedhor është Ligj. Dhe hynë në fuqi. Mazhoranca dhe opozita reale e këtij shteti e miratuan, ndonëse kryeministri Rama po luan për ta prishur këtë që votoi sot. Ai synon që me datë 30 korrik në parlament të ndryshojë Kushtetutën e Shqipërisë, pikërisht në ato nene që rrëzojnë në thelb Marrëveshjen e 5 qershorit ose e thënë ndryshe do të shkatërrojë këtë që votoi sot me 97 vota, falë presionit ndërkombëtarë.

Votimi i sotëm i Kodit Zgjedhor u përshëndet nga amerikanët dhe Bashkimi Europian. Në veçanti Komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi shkroi në statusin e tij në rrjetet sociale se urime, por kujdes mos e prishni këtë që votuat sot! Mos bëni gabime me 30 korrik të prekni Kushtetutën, për të cilën proteston opozita reale, sepse kjo do çonte në pikën zero gjithçka.

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi tha tekstualisht:

“Mirëpres miratimin e amendamenteve të Kodit Zgjedhor, në përputhje me Marrëveshjen e 5 Qershorit. Kjo përmbush një kusht kyc të konkluzioneve të Këshillit Europian. Për cdo ndryshim tjetër, nxis të gjitha partitë të vazhdojnë diskutimet në mënyrë që fryma dhe rezultatet e 5 Qershorit të mos dalin nga shinat.”.

Më troç dhe më saktë se komisionieri europian nuk ka se si thuhet.

Mos dilni nga shinat!- shkruan ai, duke paralajmëruar kryeministrin Rama që të mos e zhbëjë këtë që bëri sot me 97 vota.

Ndaj Edi Rama si një politikan me eksperiencë dhe që ndodhet në fundin e karrierës së tij politike si kryeministër, duhet t’i thërrasë arsyes.

Ai duhet të mos prekë Kushtetutën, sepse ndryshe gjithçka bie, rrëzohet dhe plas rrëmuja popullore, pasi me futjen duar në Kushtetutë në mënyrë të njëanshme, ai rrëzon konsensusin kombëtar që u arrit. Synimi nuk janë listat e hapura pasi mbetet një lojë perfekte e tij, sepse zotëron mediat dhe propagandën dhe e bëri çorap këtë popull me këto gjoja listat e hapura. Ai do që të heq koalicionet parazgjedhore nga Kushtetuta.

Kjo është frika e Edi Ramës.

Paralajmërimi ndërkombëtar se “mos dilni nga shinat”, duhet të bëjë ti thërrase mendjes kryeministri që të organizojë zgjedhje të gjithëpranuara dhe kushdo të fitojë ndershmërisht, ta gëzojë pushtetin.

Kur e merr me dhunë, me manipulime, me banda, me mashtrime, edhe Zoti të dënon.

Nuk dihet e çon një rrufe, dhe Zoti!

SHKARKO APP