VIDEO/ “Kalon limitet e trajtimit ç’njerëzor”: Bardhi publikon pamjet shokuese të shqiptarëve të mbetur në kufi

Qytetarët shqiptarë vazhdojnë të qëndrojnë në tokën neutrale midis kufirit Shqiptaro- grek.

Qëndrimi prej disa ditësh në këtë zonë, pa asnjë zgjidhje, dhe në kushte të vështira të motit, por edhe higjienike, e për më tepër me mungesa ushqimore, ka rënduar kushtet shëndetësore të tyre.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi përmes një statusi në Facebook ka publikuar një video shokuese të qytetarëve shqiptarë që qëndrojnë prej ditësh jashtë.

“Situata e bashkëqytetarëve në kufirin tokësor midis Shqipërisë dhe Greqisë i ka kaluar limitet e trajtimit çnjerëzor”, shkruan Bardhi.

Deri tani autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë asnjë zgjidhje dhe kanë theksuar faktin se nuk do të lejohet asnjë shqiptar të futet në territor.

Ndonëse pala greke nuk lejon më kthimin pas të shqiptarëve edhe pala shqiptarë nuk bën hap pas.

Postimi i plotë i Gazment Bardhit:

“Situata e bashkëqytetarëve në kufirin tokësor midis Shqipërisë dhe Greqisë i ka kaluar limitet e trajtimit çnjerëzor. Pjesa dërrmuese e tyre janë punonjës sezonalë në shtetin grek, pa asnjë mundësi për të jetuar atje pa punë. Një vend anëtar i NATO-s dhe Këshillit të Europës, kandidat për anëtar në Bashkimin Europian, nuk mund të sillet kurrë me standardet e Koresë së Veriut ndaj qytetarëve të tij. Qytetarë të lënë në mes të rrugës, për ditë të tëra, pa ushqim, pa ujë dhe pa asnjë ndihmë, po rrezikojnë jetën, vetëm për shkak se Qeveria nuk ushtron përgjegjësinë e saj ligjore. Është e patolerueshme që Qeveria vijon me kokëfortësi injorimin e të drejtës së qytetarëve shqiptarë për të hyrë në atdheun e tyre. Ky është krim”, shkruan Bardhi.

SHKARKO APP