VIDEO/ “Luani i artë”, trafikanti shqiptar fiton 1 milion paund në javë. Dërgon njerëz me gomone
Media britanike këtë të hënë ka prezantuar historinë e “luanit të artë”, që është një shqiptar nga Vlora, i përfshirë në trafikun e emigrantëve të paligjshëm në Britaninë e Madhe. Në një regjistrim nga “Daily Mail”, ai pohon edhe se fiton rreth 1 milion paund në javë, kjo duke dërguar emigrantë në Britani me gomone. Gazetarët u prezantuan si çift të rinjsh që donin të niseshin me urgjencë drejt Birtanisë pasi kishin edhe probleme. Ndërsa Luani i cili qëndron pranë portit francez i premtoi se do të niseshin sapo të përmirësohej koha.
Pjesë nga biseda
Luani: Do ju njoftoj. Do ju shkruaj mesazh që në momentin e parë që ta marr vesh.
Vajza: Na thanë ata 4.5.
Luani: Ne do flasim për më pak se aq.
Djali: Mirë, shihe si për veten tënde se kam halle dhe në Shqipëri.
Luani: Do të flasim. I lutem Zotit që të bëhet se koha është problem, as unë, as tjetri. Nëse koha rregullohet, ikim që sot. S’e kam unë në dorë.
“Sa të kaloni, ju japin ushqim, gjithçka. Nëse njerëzit kanë ftohtë, i japin batanije. Më pas ju lënë në kamp. Atje ju mbajnë 1-2 ditë sa t’ju regjistrojnë e të shohin mos jeni në kërkim. Pastaj ju nxjerrin ju çojnë në hotel. Më pas ikën ku të duash. Mund t’u mbajnë në kamp dhe 5 ditë, por edhe 2 orë. Dje e lanë një familje të ikte për 2 orë. Ti je me gruan, besoj se do ikësh shpejt”, tha Luani.
Më shumë se 32,000 emigrantë kanë kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla deri më tani këtë vit, më shumë se sa kanë kaluar gjatë gjithë vitit 2021. Shqiptarët përbënin rreth 60 për qind të ardhjeve gjatë verës.