VIDEO/ Ministrja Koçiu në qendrën ditore në Pogradec: 15 shërbime të reja në të gjithë vendin, rreth 2400 përfitues

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi këtë të martë qendrën ditore për të moshuarit në Pogradec. “Me gjyshet dhe gjyshërit e Qendrës Ditore në Pogradec, diskutuam dhe ndamë mendime për ofrimin e shërbimeve shëndetësore”, shkruan ministrja në një postim në rrjetet sociale.

Koçiu vuri në dukje se MSHMS është tërësisht e angazhuar në politikat e mbrojtjes sociale. duke pasur në prioritetet e saj programet për të moshuarit. “Me moton: Më shumë shërbime dhe më cilësore, nëpërmjet instrumentit të Fondit Social, kemi shtuar 15 shërbime në të gjithë Shqipërinë, duke promovuar dhe modele të reja të ofrimit të shërbimeve të integruara sociale dhe shëndetësore për rreth 2400 përfitues”, tha ajo.

Njësitë e lëvizshme, shërbimi i asistencës shtëpiake dhe shtimi i numrit të qendrave ditore dhe komunitare janë shërbimet e ngritura me Fondin Social në shërbim të qytetarëve. Një ndër pjesëmarrëset në takimin e ministres në qendrën ditore bëri të ditur se kishte aplikuar dhe ishte mbështetur financiarisht nga Fondi Social.

“Kemi ngritur një qendër fizioterapie për personat me aftësi të kufizuar. Pogradeci është një qytet i ftohtë dhe ka një numër të madh qytetarësht që pësojnë fraktura gjatë dimrit. Ne u ofrojmë falas shërbimin e fizioterapisë. Kemi ngritur po ashtu dhe një grup në shërbim të moshave të treta, kryesisht për të moshuarit e vetmuar, apo ata që kanë fëmijët larg. Ofrojmë shërbime për pazar apo ilaçe, sipas kërkesave të tyre”, tha ajo.

SHKARKO APP