VIDEO/ Përfaqësuesi i Gjermanisë në podcastin e Ditmir Bushatit: Politika e zgjerimit rikthen shpresën për qytetarët
Tirana mikpriti ministerialin e ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, takim ky që i paraprin Samitit të Procesit të Berlinit më 16 Tetor. Për të folur mbi procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe sfidave me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor, në podcasting e radhës “Public Square”, Ditmir Bushati bisedoi me Manuel Sarrazin, Përfaqësues i Posaçëm i qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sarrazin shprehet se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bëjnë gabimin humbjes së një mundësie të madhe sërish, pasi ndonjëherë Ballkani Perëndimor është mjaft i zoti për këtë.
“Nga njëra anë, kemi një zhvendosje gjeopolitike që ka risjellë përsëri në skenë zgjerimin si një instrument politik të Bashkimit Europian. Nga ana tjetër, politika e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor duket të jetë e dobët si shtysë për ndryshime të brendshme. Ndaj, mendoj se kemi një situatë të përzier. Dhe pastaj ndiqet zakonisht nga argumenti më i dobët i zgjerimit që në fakt është se, njerëzit nuk janë të gatshëm të presin për ndryshimet që duan. Nga njëra anë, siç mund ta dini, rajoni është mjaft i duruar përsa u takon ndryshimeve të mëdha të politikave në aspektin e brendshëm, por nga ana tjetër, njerëzit po largohen nga rajoni”, thekson ai.
Ditmir Bushati nënvizon se në ditët e sotme shtetasit e Ballkanit Perëndimor po e lidhin Gjermaninë më shumë me valën e infermiereve, studentëve të mjekësisë dhe mjekëve që po largohen duke shkaktuar humbje të potencialit njerëzor në rajon. Përfaqësuesi i Posaçëm i qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor shprehet se largimi i njerëzve duhet trajtuar nga politika e zgjerimit, e cila duhet të rikthejë tek njerëzit shpresën që të mos largohen nga vendi për të sjellë ndryshimin.
“Nga njëra anë, Franca dhe Gjermania deri në njëfarë mase nuk janë fort të kujdesshme me Ballkanin Perëndimor në këtë pikë. Nga ana tjetër, kjo tregon se reformat nuk bëhen vetëm për Bashkimin Europian. Kryerja e reformave është e rëndësishme për qytetarët, për të realizuar ndryshime edhe kur Europa ndoshta nuk arrin të jetë përgjigjja e duhur për ndryshimet. Pra më mirë të mos flasim se kush është përgjegjës për këtë, pasi është e qartë se migrimi i të arsimuarve nuk do të ndryshojë nga sot nesër menjëherë, por njerëzit duhet të kultivojnë besimin te vendet e Ballkanit Perëndimor, se ju mund të jeni të suksesshëm atje dhe vendi do të jetë i suksesshëm. Nuk bëhet më fjalë për sukses individual, por për suksesin e vendit. Gjithashtu duhet të jetë e qartë se besueshmëria e Bashkimit Europian mbështetet mbi parimin se nëse premton diçka do të duhet ta mbash atë”, thekson Sarrazin.
Për Manuel Sarrazin Procesi i Berlinit ka dhënë disa rezultate konkrete për vendet e Ballkanit Perëndimor edhe pse ato shpeshhere nënvleftësohen. “Ka një shans historik për të parë më në fund se Procesi i Berlinit mund të jetë një instrument mjaft i fuqishëm në drejtim të kontributit për perspektivën europiane. Por le ta themi edhe në këtë mënyrë, për rolin e institucioneve europiane dhe sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor. Në këtë ndryshim historik që po vjen tashmë me Ukrainën dhe Moldavinë, zgjerimi rivjen në skenë si instrumenti më i fuqishëm i politikës së jashtme që ka BE-ja. Meqë ra fjala, është pa mëdyshje në duart e Komisionit sipas procedurës, jo sipas vendimeve, për shkak të situatës në Këshill. Pra, është një shans historik posaçërisht për Gjermaninë dhe vendet e Procesit të Berlinit në përgjithësi për t’i dhënë një shtytje tjetër dhe një fluks tjetër idesh këtij procesi”, thotë ai.
Sipas tij, Brukseli nuk ka pse të ketë frikë nga Procesi i Berlinit. “Ne jemi një instrument për agjendën e Brukselit dhe jemi dakord me këtë rol. Sigurisht një instrument i fuqishëm, sepse për kancelarin gjerman, ministren e jashtme, koalicionin në Gjermani, ky është një instrument i rëndësishëm për ta. Por Olaf Scholz nuk kërkon një vend në histori si kancelari që mundësoi zgjerimin e BE-së. Ai beson vërtet në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. E beson me zemër, me bindje dhe jo për të nxjerrë përfitime politike. E njëjta gjë vlen edhe për ministren e jashtme. Ky është pozicioni gjerman. Ne besojmë atë që themi. Situata gjeopolitike, mendoj, se po kontribuon gjithashtu shumë”, shprehet Manuel Sarrazin.
Por a është vendimi për të organizuar konferencën e Berlinit këtu në Tiranë një shprehje vullneti se e ardhmja e rajonit tonë është në BE? Për Manuel Sarrazin rezultatet e takimit janë më të rëndësishme sesa vendi i mbajtjes së takimit. “Ideja është për të dhënë mesazhin se rajoni është në pozitë të barabartë në Procesin e Berlinit. Kjo është ideja. Ne duhet t’i qëndrojmë vullnetit politik dhe Gjermania po përpiqet të injektojë një fluks të vullnetit politik edhe në rajon me qëllimin shtimin e reagimit për më shumë shpejtësi politike. Për ne nuk ka të bëjë vetëm me hapjen e kapitujve dhe çeljen e negociatave, posaçërisht për Shqipërinë edhe Maqedoninë e Veriut. Angazhimi ynë është për një vullnet të fortë politik dhe për rezultate konkrete”, thekson Përfaqësuesi i Posaçëm i qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin.