VIDEO/ Shpallet në kërkim Suel Çela, për sulmin ndaj policisë në Elbasan
Në njoftimin e policisë për sulmin që iu bë grupit së Shqiponjave në Elbasan, disa pika në lidhje me ngjarjen janë lënë qëllimisht të paqarta. Njoftohet se policia shoqëroi dy persona që udhëtonin në një makinë rreth 100 mijë euro, por nuk ka shoqëruar personin që kishte në përdorim Audin e blinduar me të cilin u godit policia. Në njoftim thuhet se policia shoqëroi rojen e tregut Agro-ushqimor të qytetit, por nuk jepet asnjë detaj mbi të dyshuarin kryesor të ngjarjes.
“Mjeti tip “Audi” dyshohet të jetë i blinduar dhe është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe rezulton në përdorim nga P.Ç” thuhet në njoftimin e policisë. Burime nga grupi hetimor thanë për Lapsi.al se Audi i blinduar që sulmoi policinë, rezultoi në përdorim nga Petrit Çela, një biznesmen i njohur në Elbasan, pronar i tregut Agro-Ushqimor në këtë qytet.
Nga njoftimi i policisë nuk rezulton që ky person të jetë shoqëruar në polici, madje policia ngurron ta përmendë me emër, duke dhënë vetëm inicialet e tij.
Petrit Çela është babai i Suel Çelës, personit që dyshohet se drejtonte makinën e blinduar, me të cilën u sulmua policia. Burime nga grupi hetimor thanë për Lapsi.al se Suel Çela është shpallur në kërkim policor, ndërsa nuk dihet nëse bashkë me të kishte persona të tjerë në mjetin e blinduar. Policia shpërndau edhe pamje të aksionit policor, por sërish ngurron të japë emrat e të dyshuarve për ngjarjen. Video më poshtë:
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=hXf3pGjwfvg” width=”560″ height=”315″]

