VIDEO/ Shtetrrethim në Tiranë, bllokohen rrugët – Tentohet moslejimi i deputetëve të futen në Kuvend
Policia dhe forcat speciale kanë blinduar të gjitha rrugët që të çojnë tek Kuvendi i Shqipërisë. Janë vendosur gardhe metalike gjithandej. Arsyeja e këtij “shtetrrethimi” është protesta e paralajmëruar e qytetarëve shqiptarë dhe opozitës përballë Kuvendit.
Opozita në protestë
Opozita do të protestojë sot sërish përpara parlamentit gjatë kohës kur Kuvendi do të zhvillojë seancën e radhës plenare. Kjo është hera e katërt që seanca plenare do të zhvillohet ndërkohë që në ambientet e jashtme opozita do të protestojë. Dy protestat e tjera të opozitës janë zhvilluar përpara Kryeministrisë. Me protestën që është paralajmëruar për të nisur në orën 09:30 përpara parlamentit, gjatë kohës kur në Kuvend pritet të nisë senca plenare, e cila u vendos këtë të hënë në Konferencën e Kryetarëve, opozita do tentojë moslejimin e deputetëve të futen në Kuvend. Një ditë para protestës së opozitës, përpara Kryeministrisë, mësohen detaje të reja të mënyrës së konceptuar për mbarëvajtjen e saj. Burime nga selia blu konfirmojnë se protesta në do të jetë pa fjalime, ndërsa ende nuk ka një orar se sa do të zgjasë, por ajo që këmbëngulet nga përfaqësuesit e opozitës është fakti se protesta do të ketë “forcën e numrave” në shesh. Të pyetur nga gazeta lidhur me pretendimet për demonstrim dhune sot në shesh, ato sqaruan se opozita vjen në pushtet me zgjedhje të lira dhe jo me dhunë, por se çfarë ndodh me njerëzit e irrituar është jashtë kontrollit të çdokujt.
Masat e policisë
Protesta e fundit e opozitës që u zhvillua të shtunën e 16 marsit pati tension dhe përplasje para parlamentit në një moment kur protestuesit tentuan të thyenin kordonin e policisë. Efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën e protestuesve. Nisur nga këto ngjarje, dhe ndryshe nga hera e kaluar në perimetrin rrethues të parlamentit është vendosur gardh hekuri dhe bazamentet, të cilat janë forcuar dhe me beton. Gardhi është përforcuar nga hyrja kryesore për të vijuar nga hyrja dytësore nga krahu i pedonales dhe për të përfunduar tek hyrja e kalasë së Tiranës. Para protestës policia planifikon të vendosë dhe një tjetër gardh me rrjeta teli përgjatë lulishtes para Kuvendit, hyrjes nga krahu i qendrës tregtare, dhe hyrjes së pedonales nga krahu i bulevardit dëshmorët e kombit. Gjatë protestës pritet të angazhohen mbi 1 mijë policë nga reparti i FNSH-së, RENEA-s, forcave të rendit dhe “Shqiponjave”. Nga opozita pritet të ndiqet e njëjta strategji ashtu si protestat e tjera, ndërsa mësohet se qytetarët e shumtë janë thirrur për t’iu bashkuar tubimit. Përveç këtyre masave, Policia e Shtetit ka instaluar prej disa javësh dhe kamera shtesë sigurie para godinës së Kuvendit, të cilat shërbejnë për identifikuar protestuesit me anë të zmadhimit. Kamerat rrotulluese që filmojnë 360 gradë, janë vendosur në katër kënde të ndryshme dhe përcaktimi i pikave të vëzhgimit është bërë për të mundësuar një pamje sa më të gjerë të mbulimit të protestës, dhe në raste të përdorimit të dhunës, regjistrimet do të shërbejnë si prova filmike. Policia e Shtetit edhe më herët ka kryer investime në instalimin e kamerave para Parlamentit, në prag të protestës së 5 marsit, pamjet e të cilave gjykata nuk i quajti të mjaftueshme për të mbajtur në qeli 8 qytetarët e ndaluar atë ditë pas tubimit të opozitës. Protesta e opozitës është paralajmëruar sot në orën 09:30, ndërsa në tubimet e mëparshme të mbajtura në Tiranë, Policia ka angazhuar nga 1 mijë deri në 1500 efektiva për ruajtjen e rendit dhe sigurisë. / Koha Jonë
Pamjet nga syri.net
KOHA JONË SONDAZH

