VIDEO/Historia e dhimbshme e të moshuarit nga Vlora: Jetoj si qen në tualetet publike. S’dua të vdes këtu…

Një 65-vjeçar jeton në tualetet publike të qytetit të Vlorës. Prej 10 vitesh, Vladimir Tahiraj jeton në një sipërfaqe rreth 5 metra katrorë, vend i ftohtë dhe me lagështirë.

“Fiks Fare” udhëtoi drejt Vlorës, ku dëgjoi rrëfimin prekës.

“Kushtet janë shumë të vështira Edhe qeni mos të rrojë kështu. Kam ftohtë, uri. Jam bërë dy lekë njeri, i dobët. Gjendja është shumë e keqe”, thotë Tahiraj.

Më tej, ai shton se kërkon vetëm një kolibe.

“Të paktën të mos vdes këtu. Të mos thonë njerëzit vdiq në banjo, se kjo ngel si histori”, vijon ai, teksa tregon edhe kalvarin e jetës.

Në diktaturë ka bërë 28 vite burg për plagosje të rëndë. Pas viteve ’90 është martuar dhe ka një fëmijë.

Më pas është ndarë dhe ish-bashkëshortja e djali jetojnë prej shumë vitesh në Greqi, ndërsa Vladimiri nuk ka asnjë kontakt.

“Unë jam ndarë nga bashkëshortja, po bëj 20 vite vetëm. Po bëj 20 vite që jetoj në këto ganxha. Kam punuar dhe më hoqën nga puna.

Kam që në vitin 2008 në këtë vend. Jetoj vetëm me 2.500 lekë asistencë. Unë rri ditë e natë shtrirë, nga e keqja. Ky vendi këtu ka qenë banjo.

Vendin ma dha bashkia se nuk kisha ku të rrija. Kushtet janë shumë të këqija. Edhe qeni nuk rri ashtu”, vijon Tahiraj, ndërsa tregon edhe vendin ku fle dhe ha.

“Unë po pata gatuaj. Në bashki nuk ta fishkëllen njeri. Nuk të jep asnjë dhomë. E kam takuar 5 herë kryetarin.

Ja çfarë kam gatuar sot, kaçamak. Bukë me vaj dhe ujë, si i thonë. Ja kaçamaku me bukë (tregon tenxheren). Shkoq bukën dhe e lyej me pak vaj kikirik dhe ujë.

S’ka trahana. Bukën ma jep një i furrës. Këto të tjerat janë ato që mbaj qirinjtë, se s’ka as drita.

Vendi është shumë i ftohtë, rri brenda në batanije. Unë dal nga dhoma nga ora 12:00, futem në orën 16 ose 17 brenda”, thotë 65-vjeçari.

Ai shprehet se në burg ishte 100 herë më mirë, pasi kishte për të ngrënë, për të pirë dhe për të fjetur.

Në fund, pyetjes se çfarë do të bëjë, i përgjigjet: Do të vdes këtu!

SHKARKO APP