Videoja e kryebashkiakut të Divjakës, Korreshi: S’dihet ku shkojnë taksat e qytetarëve, plehrat mblidhen me sfurk
Deputeti i PD-së për zonën e Lushnjes, Saimir Korreshi ka komentuar videon e publikuar nga vetë ai, ku dëgjohej kryetari i Bashkisë së Divjakës, Josif Gorrea teksa ofendonte banorët, pas ankesave dhe protestave të zhvilluara nga ana e tyre për problemet në zonë.
Gjatë kësaj interviste për “News 24”, Korreshi e quajti këtë rast si tragjik, pasi sipas tij përveç vjedhjes që i bëhet qytetarëve atje, tani ju është shtuar dhe një mal me plehra.
“Është përgjigjur në mënyrë arrogante. Videon ma kanë dërguar qytetarët dhe e publikova. Aty është një zonë dhe një situatë tragjike ku përveç hajdutërisë, siç e dini aty është një mal plehrash. Kur ndizet kundërmon e gjithë zona. Bëhet një situatë e padurueshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, fusha e plehrave është rihapur duke dëmtuar mushkëritë e Lushnjës. ”Është skandaloze se si taksat që mblidhen nuk dihet ku shkojnë dhe plehrat vazhdojnë të mblidhen me sfurk. Qytetarët më kanë bërë me dije se do t’i vazhdojnë protestat, unë do të jem me ta”,-tha ndër të tjera Korreshi.