VIDEOLAJM/15 të ”fortët”, OFL çon listën për verifikime tek SPAK-u

Që prej nisjes së operacionit Forca e Ligjit (OFL), deri më sot i janë dërguar letrat e pasurisë, 15 ”të fortëve”. OFL ka goditur sërish sot të dyshuarit si “koka” krimi në vend. Për 48 orë, Dritan Dajti dhe Xhevdet Troplini do të duhet të justifikojnë pasurinë e tyre me shkrim në OFL. Ka kaluar më shumë se një javë që prej momentit kur OFL ka nisur goditjen dhe sekuestrimin e emrave të njohur të botës së krimit.

OFL ka dërguar formular edhe tek Suel Cela dhe Plarent Dervishajt. OLF shënjestroi biznesmenin durrsak, Dashamir Gjoka dhe trafikantin e arrestuar në Gjermani për trafik droge, Emiljano Hysenaj dhe të afërmin e tij, Edlirin. Formulari iu dërgua edhe ish-kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, i cili ktheu edhe përgjigjien e tij. Formulari i është dërguar edhe Ardian Çapjas në Elbasan, ndërkohë që pasuria i është sekuestruar Altin Hajrit në Shijak, dhe Grupit të Dukagjinit në Shkodër.

3 ditë më parë OFL-ja i ka dërguar formularin për deklarimin e pasurisë Saimir Taullau dhe Arben Isufaj i njohur ndryshe si Ben Qimja. Po kështu ditën e shtunë u janë sekuestruar makinat e blindura, Durim Bamit, Dashamir Gjokës dhe Landi Muharremit. Në ”sitën” e OFL-së u kap “kumbari i Shkodrës” Bardhok Pllanaj dhe Alberto Kochsiek (Lamaj), i njohur ndryshe si kreu i bandës së bananeve. Ndërsa dje, radha i erdhi edhe Emiljano Shullazit dhe Gjergj Cukali.

15 emrat e publikuar nga Operacioni Forca e Ligjit janë dorëzuar nga Policia e Shtetit në drejtim të Prokurorisë së Posaçme. Të gjitha rastet u janë shpërndarë prokurorëve të strukturës, të cilët po bëjnë verifikimet e nevojshme. Nuk përjashtohet mundësia që një pjesë e tyre t’i rikthehen Policisë për plotësime të mëtejshme. Në GJKKO nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga SPAK, ndërsa burime nga gjykata bëjnë me dije se janë përgatitur regjistrat për masat urgjente parandaluese për sekuestrimin e pronave që nuk justifikohet, të cilat pritet të dorëzohen nga SPAK. Ky i fundit ka edhe 6 ditë kohë për dorëzimin e kërkesës së parë, të ditës së parë të fillimit të punës së OFL.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

E shkuara kriminale e Dritan Dajtit

OFL i kërkon llogari për pasurinë, Dritan Dajti ndodhet në burgun 302, fatlum pasi Gjykata vendosi t’ja hiqte burgimin e përjetshëm, dhe t’ja konvertonte atë në vetëm 25 vite burg, nga të cilat, Dajtit i ngelen vetëm 15 vite. Dajti akuzohet për vrasjen e 4 efektivëve të Policisë në vitin 2009. Historia e kësaj masakre u bë edhe më e rëndë, ku pas hetimeve u zbuluan edhe disa lidhje të Dajtit brenda Policisë së Shtetit. Përgjimet telefonike zbuluan numra policie në telefonat e Dajtit, ndërkohë që dyshua se ky i fundit po i priste specialët e skuadrës së vëzhgimeve dhe ndjekjeve.

E shkuara kriminale e Xhevdet Troplinit

Xhevdet Troplini u arrestua për trafik droge në vitin 2006. Dosja ka ardhur nga drejtësia italiane pas përgjimeve ndaj tij dhe disa bashkëpunëtoreve. 40-vjeçari akuzohet për trafik ndërkombëtar të drogës. Tre dite para arrestimit të Troplinit në 2006, disa bashkëpunëtorë të tij u arrestuan në Bari, me një sasi prej rreth 20 kg. heroine. Droga kalonte nga Turqia, Shqipëria dhe më pas, në Itali.

OFL, 12 shkurt 2020

SHKARKO APP