VIDEOLAJM/ 3 të vrarë në 12 orë, burrat ekzekutojnë gratë

3 TË VRARË, BURRAT EKZEKUTOJNË GRATË

Në Rrëshen ka pllakos heshtja dhe zija për viktimat e krimit të dyfishtë. Esmeralda dhe Vledison Filopati, motër e vëlla u vranë mbrëmjen e së martës me breshëri plumbash në oborrin e banesës. Autor i kësaj ngjarje të rëndë dyshohet të jetë ish-bashkëshorti i viktimës, Fatmir Kolecaj, 47-vjeç i cili është shpallur në kërkim policor.

33-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve ishte divorcuar prej tre vitesh nga Kolecaj. I dënuar me 10 muaj burg për dhunë në familje, mësohet se autori i krimit e kishte kërcënuar edhe më parë se do ta vriste ish-bashkëshorten e tij. Tre vite pas divocit ish-çifti i bashkëshortëve kishin konflikte të vazhdueshme dhe debate sa i përket tre fëmijëve, për të cilët kujdesej Esmeralda. Dyshohet që 47-vjeçari të ketë shkuar mbrëmjen e së martës për të marrë fëmijët, ku pas debateve ka nxjerrë armën, duke lënë të vdekur në oborrin e shtëpisë së tyre, motër e vëlla.

RENEA dhe forca të shumta policore kanë ngritur postblloqe dhe janë në kërkim të 47-vjeçarit, i cili mund të jetë larguar në këmbë dhe të jetë fshehur në zonën pyjore pranë fshatit. Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë thotë se ka vendosur në dispozicion 5 milionë lekë për këdo që jep informacion të saktë mbi vendndodhjen e autorit. Kreu i PD-së, Lulzim Basha thotë se shteti dhe shoqëria duhet të ngrihen me forcë kundër fenomenit të dhunës në familje për të mbrojtur nënat dhe vajzat, ndërsa shton se vendi ka nevojë për një shtet serioz.

Pa kaluar 24 orë nga krimi i dyfishtë në Rrëshen, një tjetër grua u vra këtë herë në qytetin e Durrësit. Ruzhdi Tosuni 63-vjeç vrau bashkëshotren, Hajdie Tosuni 59-vjeç, pas një debati lidhur me shitjen e dyqanit të metrazheve. Çifti fillimisht ka debatuar, por situata agravoi dhe burri e qëlloi disa herë me levë gruan duke e lënë të vdekur në vend. Në vendngjarje ka qenë edhe njëra nga vajzat, e cila ka parë të gjithë skenën. Gjatë marrjes në pyetje nga Policia, autori i dyshuar është shprehur se “ma solli shpirtin aty ku nuk mban më. Kam 30 vite që e duroj dhe e vrava”.

SHKARKO APP