VIDEOLAJM/ Jo azil, Spanja kthen 26 shqiptarë. Kapet edhe vlonjati i kërkuar nga Italia

JO AZIL, SPANJA KTHEN 26 SHQIPTARË

Këtë herë në Rinas u ul një avion nga Spanja, jo nga Franca ku shqiptarët kanë shënuar rekord me kërkesat për azil. Policia Kufitare e Rinasit, bën me dije se nëpërmjet një fluturimi me charter u riatdhesuan nga Spanja 26 shtetas shqiptarë, të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen dhe disa prej tyre kishin kërkuar edhe azil.

Në mesin e të kthyerëve është edhe një shtetas nga Vlora, që ishte shpallur në kërkim nga Italia. Gjatë përpunimit dhe intervistimit të tyre rezultoi se një nga personat kishte dhënë identitet të rremë në shtetin spanjoll, me emrin V.B. Ky shtetas i kishte dhënë policisë spanjolle gjeneralitete të rreme, për arsye se ishte person në kërkim ndërkombëtar, i shpallur nga Interpol Roma, i dyshuar për veprat penale “trafikim i narkotikëve” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën bëri të mundur arrestimin e 50-vjeçarit, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Fenomeni i azilit ka prekur thellë Shqipërinë. Vendi po përjeton tronditjen e saj të tretë demografike që nga rënia e komunizmit. Shqiptarët kanë formuar kombësinë e parë si azilkërkues në Francë. Të mbërritur ligjërisht, ata kërkojnë azil politik që sipas autoriteteve franceze, nuk kanë shanse për ta fituar.

SHKARKO APP