VIDEOLAJM/Lëndët “vrasëse” do groposeshin në Vlorë

LËNDËT "VRASËSE" DO GROPOSESHIN NË VLORË

Trageti që zbarkoi në portin e Vlorës i ardhur nga Brindisi i Italisë, në të cilin u zbuluan mbetje kimike të rrezikshme, është bllokuar nga Prokuroria e Vlorës. Trageti transportonte lëndë të dyshuar si amiant por hetimet do të përcaktojnë natyrën e kimikateve. Policia ka arrestuar 6 persona. Sipas kapitenit, pak kohë më parë tragetit i është hequr shtresa izoluese dhe kjo ka krijuar mbetje. Sipas të arrestuarëve, tek fuçitë ka vaj motori.

Lëndët silleshin në Shqipëri përmes një firme pastrimi, “Delfini 1”. Për këtë arsye në pranga ka rënë administratorja. Përmes një biznesi të autorizuar për t’u futur në port, nxirreshin mbetjet dhe groposeshin në një pikë grumbullimi. Firma ka pronar Zamir Kornuzin, tashmë i arrestuar. Bashkëshortja e tij, Rezina thotë se mëngjesin e së enjtes, një furgon që transporton mbetjet nga trageti, solli në pikën e grumbullimit 5 qese të zeza me mbetje plastike. Ajo thotë se nuk i takon atyre të bëjnë analizimet e lëndëve që dalin nga porti, pasi kontrolli duhet bërë nga autoritetet që në bazë.

Gjatë kontrollit të hambarit të tragetit, policia e Vlorës gjeti 40 metër kub, i cili është lesh xhami, material ky që shërben për izolimin e pjesëve të brendshme të anijeve, në mënyrë që uji të mos depërtojë në brendësi të mjetit lundrues. Policia sekuestroi edhe mbi 10 fuçi me mbishkrimin “Eni”, që dyshohet të jenë të një kompanie italiane nafte në Itali. Sipas burimeve të policisë së Vlorës, materiali lesh xhami i gjetur në hambarin e tragetit, dyshohet se përmban lëndën e amiantit, material kancerogjen që mendohet se groposej në rrethinat e Vlorës. Amianti është një lëndë që përdoret për ndërtim por është e ndaluar në shumë vende, përfshirë edhe Shqipërinë, pasi shkakton sëmundje kancerogjene.

Në filtrin e prokurorisë janë vënë të gjitha firmat e pastrimit në portin e Vlorës si dhe të gjitha tragetet dhe skafet që ankorohen në terminal. Mostrat e materialeve që u sekuestruan brenda tragetit të ardhur nga Brindisi në portin e Vlorës, do të analizohen në Institutin e Fizikës Bërthamore.

SHKARKO APP