VIDEOLAJM/Letrat e pasurisë për 3 ”të fortët”, të dyshuar për lidhje me krimin

Letrat e pasurisë për 3 kriminelët nga Durrësi

 

Në ditën e tretë të aksionit, operacioni “Forca e Ligjit”, ka zbarkuar sërish në qytetin e Durrësit. Letrat për deklarimin e pasurive i’u janë dërguar tri emra të njohur dhe të dyshuar për lidhjen me krimin. Formulari i vetëdeklarimit të pasurisë dhe burimit të origjinës së parave, shkoi për Dashamir Gjokën, Emiljano dhe Edlir Hysenaj. OFL sqaroi se Dashamir Gjokës, i kërkohet deklarimi pasi është i dënuar në Itali për trafik të qenieve njerëzore, ndërsa Emiljano Hysenajt, sepse është i dënuar në Gjermani për trafik droge dhe pastrim parash. Nga sita e OFL nuk ka shpëtuar as Edlir Hysenaj, i cili dyshohet se ka përfituar nga paratë e krimit, përmes lidhjeve me Emiljanon.

Dashamir Gjoka është pronar i disa bizneseve dhe në gusht të 2017, i shpëtoi një atentati tek “Katër Rrugët” e Shijakut. Emiljano Hysenaj rezulton i dënuar në Gjermani për trafikim narkotikësh dhe pastrim parash. Ai u arrestua në maj të 2018 në Gjermani së bashku me 12 shqiptarë të tjerë pasi u akuzuan se futën të paktën 1.8 ton kokainë me vlerë tregu 400 milion euro në Gjermani.

Por kush do të kalojë në këtë sitën e OFL-së? “Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët”.

Nga ana tjetër, avokati i Lulzim Berishës, ka bërë me dije se deklarata e klientit të tij tashmë është dërguar në drejtorinë e Policisë. Me plotësimin e formularit, dosja e Lulzim Berishës i kalon SPAK. Brenda 15 ditësh, SPAK duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre. Pas plotësimit të formularit, përgjigjet e marra do t’i dërgohen Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që do të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre. Sapo të bëjë këtë vlerësim nëse ka dyshime të arsyeshme për pasuri me burime jo të ligjshme, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.

Me marrjen e masës së sekuestros, çdo pronë e subjekteve do të administrohet nga agjencia e posaçme e Ministrisë së Brendshme. Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, por nuk mund të shitet apo të jepet me qira nga subjekti. Të martën, OFL sekuestroi një sërë pasurish në Shkodër, të personave të dyshuar si të përfshirë në pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës më 17 janar 2020, trupi i të cilit ende nuk është gjetur.

SHKARKO APP