VIDEOLAJM/Shqipëria kosh kimik, Italia bllokon 25 tonë mbetje
Ende pa u zbuluan mirë çështja e fuçive me lëndë kimike që u kapën në portin e Vlorës, në Itali janë bllokuar rreth 25 ton mbetje. Aksioni u finalizua në portin e Ankonas në Itali dhe ishin gati për tu nisur me traget për në Shqipëri. Ngarkesat në trailera ngjallën dyshime tek punonjësit e Doganës. Kur u konstatua mungesa e këtij dokumentacioni, janë thirrur edhe forcat e Karabinierëve, të cilët vendosën bllokimin e dy ngarkesave. Dy sekuestrimet e ngarkesave janë kryer më datat 4 dhe 14 shkurt. Në to përfshiheshin lavatriçe e furra të prishura, transformatorë elektrikë, ventilatorë, motorrë elektrikë, etj, që ishin jashtë përdorimit.
Një shqiptar, një afrikan dhe një italian akuzohen për trafikim të paligjshëm të mbeturinave speciale ndërkufitare, menaxhim të paligjshëm të mbeturinave speciale jo të rrezikshme. Ndërkohë që autoritetet italian kanë hapur hetimet për të zbuluar gjithë trafikun e mbetjeve të rrezikshme.
Disa ditë më parë në portin e Vlorës u bllokua një target, pasi u zbuluan fuçi me mbetje kancerogjene dhe si synim kishin groposjen po në Vlorë. Dyshimet janë se pas skandalit të disa fuçive fshihet një skemë e mirëfilltë mafioze e trafikut të lëndëve kimike. Mediat italiane kanë publikuar informacione edhe më shqetësuese. Kompanitë që kryenin transportin nga Italia drejt Vlorës rezultojnë se kanë kryer më shumë se 15 rrugë të tjera në të njëjtën linjë. Çështja është se sa ngarkesa të tilla kanë hyrë në Shqipëri? Sa mbetje të rrezikshme janë groposur në Vlorë dhe deri në çfarë mase janë implikuar institucionet në këtë aferë? Këto pyetje duhet ti sqarojë prokuroria e Vlorës. Për fuçitë me lëndë kancerogjene, Prokuroria e Vlorës është mjaftuar duke thënë se nuk kanë përmbajtje radioaktive.