VIDEOLAJM/Vrasja e pengut, burg për të arrestuarit. Prokuroria tregon provat
Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 5 të arrestuarit për rrëmbimin dhe vrasjen e 49-vjeçarit, Jan Prenga. Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri dhe Olsi Turja, akuzohen për “mbajtje peng të personit” dhe “armëmbajtje pa leje”, kurse Festim Bexhdili, që u arrestua në Kavajë, akuzohet për fshehje dhe asgjësim të trupit të pajetë të Prengës. Asnjëri prej tyre nuk ka pranuar akuzat, ku gjatë seancës kanë thënë se resort “Golden” ka qenë i mbyllur për shkak të dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit dhe se askush nuk mund të hynte brenda. “Ka qenë i mbyllur për shkak të dëmtimeve nga tërmeti, nuk ka punuar asnjë. Se dimë kush mund të ketë hyrë apo të ketë vepruar”. 10 persona të tjerë të shpallur në kërkim për këtë ngjarje të rëndë. Leonard Hajri ka thënë që jeton si emigrantë në Itali, ku më parë ka qenë i dënuar për drogë. “Kam ardhur para ca kohësh dhe jam i dënuar në Itali për drogë. Jetoj aty si emigrant. Ndërsa në Shqipëri nuk jam dënuar ndonjëherë”.
Prova që bindi gjykatën për të lënë në burg 5 të arrestuarit, janë disa foto bardh e zi të printuara. Ato janë sekuenca të filmuara nga një kamera e sigurisë. Sipas prokurorisë, në to duket Bajram Hajri, duke pastruar me solucione njolla si ato të gjakut. Leonard Hajri dhe Olsi Turja duken po në garazh dhe dyshohet se kanë zhvendosur trupin drejt furgonit. Mjeti furgon është sjellë nga Elton Hajri. Ndërsa Festim Bexhdili shfaqet me mjete pune, lopata. Avokati i Elton Hajrit, tha se pamjet filmike ishte të printuara në foto bardhezi dhe se nuk dallohej absolutisht asgjë. Prokuroria sipas tij, pretendoi se do t’i sjellë në një moment të dytë këto pamje filmike, të cilat sipas tyre janë të provuara. “U servirën disa pamje filmime, të cilat për hir të së vërtetës, nuk janë parë as nga të dyshuarit dhe as nga mbrojtja dhe gjykata e ka marrë të mirëqenë se ekzistojnë. Në këto kushte është bërë e modës caktimi i masës së sigurisë “arrest në burg” për çfarëdolloj vepre penale, edhe për vepra më të lehta. Për sa i përket të dyshuarve të mbrojtur prej meje konkretisht të Elton Hajrit, ai është një shtetas me arsim të lartë, ka punuar përpara disa vitesh në këtë resort dhe për shkak të kësaj ka një automjet furgon”.
Kurse babai i Eltonit, thotë se i biri atë ditë ka qenë në shtëpia e tezes së tij. Ndriçim Hajri i bën thirrje drejtësisë të hetojë drejt çështjen dhe të mos ndikohet nga mbiemri. “Ai ka 4 vjet që e ka lënë punën dhe nuk është paraqit asnjëherë atje, tek “Golden”. Në atë ditë djali ka qenë në Shijak tek shtëpia e tezes së vetë, nëse gjurmohen telefonat. Më 100 % djali im nuk ka lidhje”. Urdhri për rrëmbimin e Jan Prengës ka mbërritur nga Ekuadori, nga një vlonjat me iniciale D.R, i cili vuan dënimin për 240 kilogramë kokainë. Konflikti dyshohet se ka lindur për një ngarkesë kokaine, që dyshohet se u nis nga Amerika Latine për në Britani dhe ku D.R është i përfshirë. Pavarësisht kërkimeve, deri më tani nuk është arritur që të gjendet trupi i viktimës. 10 persona të tjerë të shpallur në kërkim për këtë ngjarje të rëndë.