Vidhen armët në Pashaliman, Shtabi i FA: Ndjekje penale 5 ushtarakëve
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur ditën e sotme në Orikum. Në bazën e Pashalimanit është grabitur nga persona kasaforta e armatimit. Informacionet e para flasin për vjedhjen e të paktën tre armëve automatike ndërsa në pyetje mbi ngjarjen janë marrë pesë ushtarakë të bazës. Armët në fjalë mësohet se janë të kushtueshme dhe prodhim amerikan. Ndërkohë raportohet se ushtari që kishte si detyrë ruajtjen e ambientit nuk ka qenë në vendin e rojës. Policia e Qarkut Vlorë pritet të dalë me një komunikatë zyrtare mbi ngjarjen e paprecedentë.
Ndërkohë Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura njoftoi në mbrëmje se ka referuar ndjekje penale për pesë persona. Akuza ndaj tyre është: “Për shkelje të rregullave të shërbimit në objektetet e rëndësishme” si dhe u referuan materiale për veprën penale “Vjedhje”.
Reagimi i plotë i Shtabit të Forcave të Armatosura:
Një ngjarje e shëmtuar është regjistruar ditën e djeshme në Bazën Detare të Pashalimanit, ku është dëmtuar një depo armatimi.
Që prej momentit të parë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, përmes të gjitha strukturave të tij vartëse dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, Policinë e Shtetit nisi zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes, brenda Bazës së Pashalimanit.
Policia Ushtarake referoi dokumentat për ndjekje penale në Prokurinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë në ngarkim të 5 personave: “Për shkelje të rregullave të shërbimit në objektetet e rëndësishme” si dhe u referuan materiale për veprën penale “Vjedhje”.
Hetimi administrativ i nisur nga SHPFA po vijon dhe po merren të gjitha masat, që çdo person përgjegjës të ndëshkohet për çdo veprim apo mosveprim të tij, sipas ligjeve në fuqi.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dënon aktin por në të njëjtën kohë siguron se, ky rast sporadik, nuk ka dëmtuar sigurinë, gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcës Detare.
Theksojmë edhe një herë se, papërgjeshmëria e ndonjë individi, qofshin ata efektivë të FA, nuk mund të njollosë figurën, modelin e përkushtuar dhe sakrificën e efektivëve të Forcës së Armatosur Shqiptare.
KOHA JONË SONDAZH

